Zgjedhjet si kërcënim modern i demokracisë

Prishtinë | 07 Kor 2018 | 10:20 | Nga

Refleksione nga Afrim Kasolli dhe Alfred Marlek mbi librin “How Democracies Die – What History Tells Us About Our Future”, të Steven Levitsky dhe Daniel Zibllat

Shekulli XX përfundoi me bindjen e përgjithshme mbi triumfin e demokracisë dhe vlerave liberale, si forma më e avancuar e organizimit dhe përfaqësimit qytetar që krijon mundësi për pranim dhe satisfaksion politik universal.

Stabiliteti dhe qëndrueshmëria institucionale e këtij modeli perceptoheshin si të garantuar dhe të mirëqenë njëherë e mirë, sidomos në Evropë dhe Amerikën Veriore, shkruan sot Koha Ditore.

Revolucionet, grusht-shtetet, diktaturat militare, si dhe uzurpimet e dhunshme të pushtetit, sipas këtij optimizmi të kudogjendur, do të jenë gjithnjë e më të rralla dhe si të tilla, tash e tutje, ato do të jenë vetëm relikte historike dhe objekt studimi nëpër departamentet ku studiohet kjo disiplinë e dijes njerëzore.

Ceremonitë e shënimit të këtyre ngjarjeve do të na shërbenin vetëm sa për të na përkujtuar se tashmë epokat e errëta për njerëzimin kishin përfunduar. Armiqtë e jashtëm ideologjikë të demokracisë ishin anatemuar nga skena e historisë. Si pasojë e këtij diskreditimi, marshimi i suksesshëm i demokracisë nuk do të mundë të frenohej nga asnjë pengesë tjetër objektive. Legjitimimi demokratik i pushtetit u shpall si model planetar.

Megjithatë, edhe me gjithë këto trende të favorshme dhe shpresëdhënëse për lulëzimin e këtij modeli në përmasa globale, sot faktet janë duke treguar se demokracitë janë kapluar nga një proces degjenerativ në përmasa të frikshme.

Besimi në potencialin e tyre është venitur. Nga viti 2006, për çdo vit me radhë, sipas Freedom House, numri i vendeve “që regjistrojnë rënie në indeksin e të drejtave politike e ka tejkaluar numrin e vendeve që regjistrojnë rritje të këtyre të drejtave”.

Tragjikisht, ky proces i devalvimit të demokracive sot po ndodh “pikërisht me përdorimin e institucioneve të saj, në mënyrë graduale, delikate, tinëzare dhe madje edhe legale”. Pra, ato po “vazhdojnë të vdesin. Vetëm se tani me mjete të tjera”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme