Hoti: Merrni shembull Prizrenin dhe Podujevën si qeverisin këta më shirita të kuq

Prishtinë | 09 Shk 2021 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të martën, në tubimin zgjedhor në Rahovec, se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mashtrohen më 14 shkurt, nga njerëzit që shpërndajnë shirita të kuq rrugëve. 

“Mos u mashtroni. Merreni shembull Prizrenin që qeveriset nga ata që vendosin shirita të kuq rrugëve, që është shenjë e sistemeve komuniste. Merreni shembull Podujevën, ku kryetari i ri është denoncuar nga një qytetarë për sulm fizik. Pra shihni çfarë shembujsh keni nga ata që po pretendojnë ta qeverisin Kosovës. Unë dua të them më zë të qartë se vetëm LDK, garanton qeverisje normale në këtë vend, e kemi dëshmuar këtë pasi kemi qeverisur me integritet të lartë gjithmonë dhe duke qenë në shërbim të qytetarëve”, tha Hoti. 

Kandidati i LDK-së, para rahovecianëve, shpalosi detaje nga plani për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare, duke u fokusuar në bujqësi. 

“Ne ju kemi dalë në ballë premtimeve tona. Kemi dyfishuar subvencionet në bujqësi që filluan të shpërndahen sot. Në vazhdim kemi plan ambicioz në bujqësi, me projektin për sistemin e ujitjes së tokave bujqësore që do të bëjë revolucion në këtë sektor”, tha Hoti. 

Ai foli edhe për të arriturat e qeverisjes së LDK-së, të cilat sipas tij, janë garanci për fitore më 14 shkurt. 

 “E kemi hapur vendin ndaj miqve tanë, dhe sikur i qon zoti të mirat një nga një, të vjen mbështetja amerikane për ushtrinë, marrëveshja për 1 miliardë euro investime, njohja nga Izraeli etj.  Me mënyrën si qeverisim kemi me i heq vizat në këtë vit. Neve na besojnë kudo në Evropë. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur pas takimeve të shumta në terren, se të dielën do ta mbyllim me fitore, sepse i kemi thënë të gjitha të vërtetat të cilat janë kuptuar drejt nga qytetarët”, tha Hoti, duke shtuar se më 14 shkurt bujqit, stafi shëndetësore, bizneset dhe të gjitha kategoritë, nuk kanë arsye me votu dikën tjetër përveç numrit 132 dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme