Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit Nehat Idrizi.
Gjatë këtij takimi është votuar për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan, transmeton Koha.net.
Gjyqtari Ramiz Azizi arriti të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kundrejt kundër këtyre kandidatëve, Zyhdi Haziri, Agim Ademi, Aziz Shaqiri, Veli Kryeziu dhe Naser Maliqi të gjithë gjyqtarë të kësaj Gjykate.
Ramiz Azizi është gjyqtar i Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal të Gjykatës Themelore Gjilan. Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1983, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2002. Sistemit gjyqësor Azizi i është bashkangjitur në vitin 2003, ku ka filluar të punojë si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Gjilan deri në vitin 2004. Gjashtë vitet e ardhshme të karrierës së tij punoi si gjyqtar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje, kurse nga viti 2010 deri në vitin 2012, gjyqtari Azizi ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Gjilan. Në janar të vitit 2013, mori detyrën e gjyqtarit mbikëqyrës të Degës në Novobërdë, ndërsa nga korriku i vitit 2013, ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Gjatë këtij takimi, është aprovuar edhe kërkesa e Grupit Punues të Projektit TIK/SMIL për ndërprerje të regjistrimit të lendeve të reja lëmisë penale në CIS në pesë Gjykatat Themelore në Ferizaj, Gjilan, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
Gjithashtu, anëtarët e Këshillit kanë refuzuar kërkesën për themelimin e degës së Gjykatës Themelore në komunën e Hanit të Elezit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kësaj mbledhje shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet.