Anëtari i kryesisë së LDK-së, njëherësh ministër i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, është shprehur i bindur se koalicioni i udhëhequr nga partia e tij do t’i fitojë zgjedhjet e 11 qershorit.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se do ta mposhtin koalicionin PDK-AAK-Nisma, por me rezultat të gushtë.
“Natyrisht ne besojmë se do t’i mundim, me rezultat të ngushtë por kemi me i mujt”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë Lutfi Zharku ka thënë se nuk ka pasur asnjë pakënaqësi nga asnjë kandidat sa i përket listave, duke shtuar se lista e koalicionit LDK-AKR është dorëzuar pasi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, bashkë me nënkryetarët dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti ia kanë dhënë vulën.
Këto komente Zharku i bëri në nisjen e punimeve në zgjerimin e rrugës Mramor-Grashticë, e quajtur si “Qarkorja e Tretë e Kryeqytetit”.
Në këtë përurim ishte paralajmëruar se do të merrnin pjesë edhe Isa Mustafa e Avdullah Hoti. Por, Zharku tha se “kryeministri i tanishëm dhe kryeministri i ardhshëm” kanë pasur angazhimet të tjera.
Ai mohoi se ky përurim është lënë qëllimisht në prag të fushatës. Tha se ka qenë i planifikuar më moti.