Zhdukja e mostrave të Deharit, zv.drejtori i IML-së: Vetëm policia ka qasje në videot e laboratorëve

Prishtinë | 19 Shk 2023 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Katër punëtorët e suspenduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për shkak të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, raportohet se janë kthyer në punë, në bazë të një vendimi të Komisionit brenda Institutit.

Për këtë ka folur Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili tha se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.

Sipas tij, me vendim të komisionit disiplinor, i cili ka rishqyrtuar lëndën në fillim të këtij viti, së pari është kthyer Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, ndërsa tre të tjerët, dy kimistët dhe toksikologu janë kthyer pastaj me një vendim të komisionit të ankesave me datë 27 janar të këtij viti.

Në pyetjen rreth akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, Haliti tha se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Sipas Halitit, Policia është duke i shqyrtuar ato, derisa tha se nuk ka asnjë informatë nëse ka ndonjë regjistrim apo ndonjë fakt rreth asaj se kush i ka marr këto mostra.

“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, tha Haliti.

Të ngjashme