Vetëvendosje përmes një letre ka kërkuar nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj sqarime lidhur me ato që ajo i ka quajtur keqpërdorime me grantet në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kohën derisa ajo udhëhiqej nga ish-ministri Nenad Rikalo, transmeton Koha.net.
Në letrën të cilën e ka nënshkruar deputeti i kësaj partie, Salih Zyba, theksohet se sqarime janë kërkuar edhe nga ministrja aktuale e kësaj Ministrie Dijana Zhiviq por nga dikasteri i saj deri më tash nuk është dhënë asnjë përgjigje.
Veç kësaj, shtohet në letër, sekretari i kësaj ministrie po përpiqet t’i fshehë informacionet lidhur me keqpërdorimet që i ka konstatuar Auditori i Përgjithshëm.
Për më shumë lexoni letrën:
Nisur nga raportimet publike dhe nga ato në Komisionin parlamentar për Bujqësi, vërtetuar edhe nga Raporti i fundit i Auditorit të Përgjithshëm, mbi keqpërdorimet e mëdha me grantet dhe veçanërisht me “Masën e veçantë” i jam drejtuar Ministres së Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me kërkesën për informata zyrtare. Këto informata lidhen pra me një rast tepër të rëndë të keqpërdorimit financiar të buxhetit të shtetit, shkeljes së ligjit për konflikt interesit dhe favorizimit të hapur për klientë të veçantë, shkelje të konsumuara nga zyrtarët më të lartë në këtë ministri.
Data e adresimit të kësaj kërkese ka qenë 20 mars 2019. Për muaj të tërë në Komisionin përkatës parlamentar nuk ka raportuar ish ministri Rikallo, tani i shkarkuar i Bujqësisë teksa vijonin keqpërdorimet.
Ministrja e emëruar nga ju në kohën kur raportoi në Komision deklaroi se nuk është e informuar me vendimet e veprimet e paraardhësit.
Sekretari i përgjithshëm i asaj ministrie duket se jo vetëm që është i përfshirë në këtë aferë por po punon aktivisht që Kuvendi, respektivisht Komisioni dhe publiku mos të ketë informatat e plota.
Janë bërë 3 muaj nga kjo kërkesë e mbetur ende pa përgjigje nga Ministria. Këtë mospërgjigje dhe mosgadishëmri e lexojmë si përpjekje për të fshehur shkeljet dhe abuzimet me grantet për fermerët e Kosovës.
Po ua drejtoj dhe juve këtë kërkesë, edhe publikisht, në mënyrë që sa më parë të zbardhet ky rast, dhe përgjegjësit të procedohen në organet e drejtësisë.
Letrës dërguar kryeministrit Haradinaj, deputeti Zyba ia ka bashkangjitur edhe kërkesën e bërë me 20 mars për ministren Zhiviq.
Kjo ishte letra drejtuar ministres së Bujqësisë:
E nderuara, znj. Zhiviq
Në bazë të nenit 41 para. 1 të Kushtetutës së Kosovës, Ligjit nr. 03/L-215, mbështetur në dispozitat e përgjithshme juridike të këtij ligji për qasje në dokumente publike, bazuar në Ligjin nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, Neni 13 mbi të drejtat në relacion me organet qendrore ekzekutive, pika 1 dhe 2 ju parashtrojë kërkesën si më poshtë:
Ju lutem të na vini në dispozicion materialet në formë të shkruar si në vijim:
Draft-raportin e skemës së granteve të hartuar nga trupa profesionale (grupet e interesit) nga Departamenti i politikave të Zhvillimit Rural, në Ministrinë e Bujqësisë të vitit 2018 dhe të 2019.
Raportin final të skemës së granteve të aprovuar në MBPZHR.
Listën e ekspertëve të angazhuar vendas dhe të huaj (nëse ka të huaj) për hartimin e “Masës së Veçantë” dhe grupin e ekspertëve të angazhuar për hartimin e kritereve për “Masën e Veçantë”, për grantet e kësaj mase, të vitit 2018.
Listën e kritereve te hartuar për “Masën e Veçantë”
Dokumentin e njoftimit publik për këtë masë.
Listën e përfituesve dhe raporti mbi përfituesit, së bashku me emrat e fermerëve (përveç NIF) sipas renditjes.
Bazën ligjore ku është mbështetur hartimi i “Masës së Veçantë” dhe dhënia e granteve sipas kësaj mase.
Shumën totale të granteve për vitin 2018 dhe 2019.
Alokimin e mjeteve financiare për secilën masë të granteve për vitin 2018.
Opinionin ligjor te Agjencisë Kundër Korrupsionit – AKK lidhur me përmbajtjen e bazës së diskriminimit ose jo, te “Masës së Veçantë”.
Ju faleminderit,
Në pritje të përgjigjes suaj!
Salih Zyba