Zhvillimet e reja teknologjike, ndërlidhen me ekonominë dhe fuqinë puntore – Liberalizimi mund të ndikojë në fuqinë blerëse

Prishtinë | 22 Maj 2023 | 21:02 | Nga Ekonomia Online

Oda Amerikane e Tregtisë në Kosovë, ka zhvilluar një diskutim me përfaqësues të bizneseve e me deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku temë diskutimi ishte “E ardhmja e punës”, me ç’rast u potencua rreziku që i kanoset Kosovës për mungesë të fuqisë punëtore. 

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte deputetja Jeta Statovci, drejtori ekzekutiv i “Meridian Express” Agon Gashi e të tjerë.

Gjatë fjalës së saj deputetja Jeta Statovci, tha se kërcënimi më i madh ndaj tregut të punës nuk vjen nga avancimi i teknologjisë, por nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, rritja e çmimeve dhe fuqia më e ulët blerëse e konsumatorëve.

Statovci po ashtu theksoi edhe disa nga masat e marra nga Qeveria për të mbështetur fuqinë punëtore, ku theks të veçantë i dha platformave të reja të punësimit dhe subvencionimit të pagave.

Statovci ka përmendur edhe Fondin Sovran të Kosoves dhe nderlidhjet investuese me sektorin privat. 

“Mora pjesë në panel diskutimi të organizuar nga Oda Amerikane e Tregtisë në Kosovë. Temë diskutimi ishte “E ardhmja e punës”, ku diskutuam për zhvillimet e reja teknologjike dhe nderlidhjet me ekonominë dhe fuqinë puntore. Gjithashtu, aty i përmenda edhe disa nga masat e marra nga Qeveria për mbështetjen e fuqisë punëtore, ku vlen të përmendet platforma si “Superpuna”, e që i ndihmon bizneset në subvencionimin e pagave, mbështetjen për trajnimin e stafit, marketingun dhe brendimin e kompanive, si dhe subvencionet për punësimin e grave dhe bizneseve të grave. Në ketë diskutim u përmend dhe Fondi Sovran i Kosoves dhe nderlidhjet investuese me sektorin privat”, ka shkruar ajo. 

E drejtori Ekzekutiv i Meridian Express Agon Gashi, duke iu referuar raportit “E ardhmja e punës”, theksoi se trendet aktualisht në rritje fokusohen në avancimin e inteligjencës artificiale, duke shtuar se ekziston një keqkuptim i përbashkët që i njëjti po rrezikon tregun e punës. 

Sipas tij, një përqindje e madhe e kompanive raportojnë se ky avancim teknologjik do të ketë mjaft efekt të kundërt.

Sipas Gashit, gjenerata e re është më e fokusuar në sektorin e teknologjisë ku edhe po ndodh një avancim i madh, ndërsa se në sektorin e shërbimeve do të ketë pasoja negative nëse nuk ndërmerren hapat e duhur. 

Rreth shtetit, ai tha se Kosova duhet të jetë në hap me zhvillimin teknologjik dhe automatizimin e proceseve të punës, me theks të veçantë në sektorin privat. Ai gjithashtu theksoi se me liberalizimin e vizave, duhet të merret parasysh edhe dalja e kapitalit nga vendi pasi sipas tij migrimi që pritet të ndodhë do të ketë ndikime të mëdha në fuqinë blerëse.  

Të ngjashme