Ky zjarrfikës po bëhet gati të niset për në fshatin Mramor. Misioni i tij, kësaj radhe është të furnizojë me ujë të pijshëm një familje në këtë fshat të cilët ballafaqohen me këtë problem.
Latif Zeka, komandat i Brigadës së Zjarrfikësve, tha për Ekonomia Online se në këtë kohë kur në vend ka thatësi, kanë pasur sfida edhe me furnizim më ujë të pijes.
“Me të vërtetë qytetarët e Komunës së Prishtinës kanë pasur nevojë për ne shumë, posaqërisht në këtë thatësinë që ka qenë viti që po lëmë pas. Kemi pas sfida me furnizim me ujë të pijes, ku nuk ka pasur, sidomos fshati Mramor”, theksoi Zeka.
Sipas Zekës, ka pasur edhe raste të tjera në Prishtinë që janë ballafaquar me mungesë të ujit e që kanë intervenuar. Mirëpo Zeka thotë se fshati Mramor ka pasur më së shumti probleme.
“Sa i përket ujitë të pijës, Mramorin, në Prishtinë disa lagje kur kanë pasur telashe ose kanë pasur defekte në ujësjellës edhe aty e kemi ndal, ku nuk ka mundur ujësjellësi ti furnizojë me ujë, atëherë jemi shkuar ne dhe i kemi furnizuar”, tregoi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve.
Deri më tani, vetëm në fshatin Mramor, Zeka thotë se i kanë furnizuar me ujë rreth 40-50 familje. Ai më tej, thotë se ky vit ka qenë me një thatësi të madhe.
“Është i theksuar edhe vitet paraprake por posaqërisht ky vit ka qenë jashtëzakonisht me thatësi të madhe, ku edhe aty ku ka qenë në ultësi që kanë qenë bunaret me ujë edhe ato kanë shterrë, se viti që lëmë pas ka qenë pa reshje, sidomos pa reshje borë”, tha ai.
“Ne shkojmë i mbushim ato që kanë me mbush, ose puseta ose rezervuarë ose ndonjë enë tjetër në shtëpi ato i mbushim dhe kthehemi”, theksoi Zeka.
Ndërsa, zëdhënësja e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, tha përmes telefonit për Ekonomia Online se fshati Mramor nuk ka rrjet të ujësjellësit për shkak të pozitës gjeografike që ka.
“Fshati Mramor nuk ka sistem të rrjetit të ujësjellësit për shkak të pozitës gjeografike që ka dhe qe ndodhet mbi liqenin e Badovcit. Rrjet të kanalizimit ka dhe ne e menaxhojmë”, tha Mjeku që sipas të cilës përveç Mramorit me këtë problem ballafaqohen edhe fshatrat Busi dhe Sutjeskë.
Mirëpo, Mjeku tha se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të shikojnë të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që edhe këto fshatra të mund të furnizohen me ujë.
“Bashkërisht me Komunën e Prishtinës do të shohim në periudha afatgjate për gjetjen e ndonjë mundësie alternative që edhe ato fshatra të furnizohen me uje. Gjithçka që bëhet në të ardhmen, gjithsesi bashkë me Komunën e Prishtinës”, theksoi ajo.