Përpjekjet e zjarrfikësve në Francë për të vënë nën kontroll një zjarr të madh pyjor që ka përfshirë zonat jugore të kryeqytetit francez kanë hyrë në ditën e dytë.
Zjarri në pyllin e Fontainebleau është përshkruar nga autoritetet si “shumë i fuqishëm” dhe me përmasa “të jashtëzakonshme”.
Për shkak të flakëve, pjesërisht është mbyllur edhe autostrada kryesore që lidh veriun me jugun e Francës.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, ka bërë të ditur se autoritetet po hetojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht.
Sipas tij, flakët janë përhapur në rreth 800 hektarë pyje në zonën rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit, shkruan BBC.
Rajoni i Parisit po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit, në një verë ku disa vende evropiane kanë regjistruar temperatura rekord.
Për herë të parë, avionë zjarrfikës nga jugu i Francës, një zonë zakonisht më e nxehtë dhe më e thatë, janë dërguar për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në rajonin e Parisit.
Sipas Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës, në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgues.
“Qëllimi është të shpëtojmë jetë dhe prona”, ka deklaruar Eric Brocardi.
Ministri Nunez tha se dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme janë shtuar pasi janë identifikuar rreth 10 pika ku mund të ketë nisur zjarri, brenda një hapësire prej një kilometri.