“Zjarri në Notre Dame nuk ishte i qëllimshëm”

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Prokurori i Parisit, Remy Heitz, tha se lidhur me zjarrin i cili shpërtheu në katedralen Notre Dame, hetimet flasin se bëhet fjalë për një fatkeqësi.

Heitz tha se do të do të bëjnë çmos për të zbardhur arsyet që çuan në përhapjen e zjarrit, duke shtuar se besojnë se nuk është një zjarrvënie e qëllimshme, raporton AA.

Ai sqaroi se tashmë kanë marrë deklaratat e të punësuarve në kompanitë të cilat kanë punuar në restaurimin e katedrales me një histori 856 vjeçare.

Kujtojmë se zjarri i cili përfshiu simbolin e Parisit dhe të Francës, shpërtheu dje në ora 18:50 sipas kohës lokale.

Stuhia e zjarrit ka shkatëruar tërësisht kulmin dhe një kullë 93 metra të gjatë pranë katedrales. Në shuarjen e zjarrit morën pjesë mbi 500 zjarrfikës, të cilët pas përpjekjeve të mundimshme arritën të shpëtonin kullën veriore me zile si dhe godinën kryesore të katedrales.

Imazhet e flakëve të cilat po shkatërronin katedralen në anën e Senës, ndiqeshin nga oipinioni i tronditur në Francë por edhe jashtë saj. Në vetëm pak orë, në Twitter u postuan mbi 1.6 milionë mesazhe solidariteti.

Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti zjarrin një tragjedi të madhe, duke thënë se Notre Dame është krenaria e Francës dhe premtoi se ajo do të restaurohet.

Notre Dame, që do të thotë “Zonja jonë” është një nga pikat më të rëndësishme turistike të Parisit dhe daton nga viti 1345.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme