ZKA-ja do t’i auditojë projektet për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit

Prishtinë | 09 Dhj 2022 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (AShI)” për  periudhën  2019 – 2022. 

Subjekt i auditimit është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) që është përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK) për institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe menaxhon Qendrën e të Dhënave Shtetërore.

Qëllimi i këtij auditimi është që të vlerësohet se si Agjencia i ka menaxhuar projektet e sistemeve të TIK-ut si dhe sa ka qenë efektive në vlerësimin e projekteve përfshirë procesin e inicimit, planifikimit, zbatimit dhe monitorimit. AShI-ja ka për qëllim digjitalizimin e shërbimeve të institucioneve dhe lehtësimin e qasjes në këto shërbime përmes platformave elektronike.

Prej vitit 2013 deri më tani AShI-ja ka bërë investime të vazhdueshme në TIK duke realizuar dhe menaxhuar rreth 45 kontrata në vlerë mbi 24 milionë euro. Investimet kryesisht janë drejtuar në projekte të ndryshme, si: blerjen dhe mirëmbajtjen e harduerit, ruajtjen dhe procesimin e të dhënave dhe sigurisë kibernetike për Qendrën e të Dhënave Shtetërore.

Poashtu, është investuar në ofrimin e shërbimeve të TI-së për institucionet publike, në zhvillimin e sistemeve të softuerit, zhvillimin e sistemit për ndërveprim të sistemeve elektronike të Qeverisë së Kosovës, zhvillimin e e-shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, në marrjen e shërbimeve si dhe në trajnime të stafit për ngritje të kapaciteteve profesionale.

Të ngjashme