Reagimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ftesa e saj drejtuar institucioneve të vendit për të parandaluar zhvillimin e ndeshjes së Kupës së Serbisë në Zveçan ndërmjet klubit ilegal Trepça dhe Cërvena Zvezdës së Beogradit, ka dhënë efektet e para.
Mediumet serbe të enjten kanë shkruar se ndeshja e 1/16 e Kupës së Serbisë ndërmjet të ashtuquajturës Trepça me bazë në veri të Kosovës dhe Cërvena Zvezda, tashmë po konsiderohet mision i pamundur. Kjo ndeshje tashmë pritet të ndërrojë lokacionin dhe sipas të gjitha gjasave do të luhet në Beograd, saktësisht në stadiumin e kampiones së Serbisë, Cërvena Zvezdës, shkruan sot Koha Ditore.
“Bllokadë Zvezdës për ndeshjen në Zveçan: Dueli ndërmjet Cërvena Zvezdës dhe Trepçës në kuadër të Kupës së Serbisë është mision i pamundur në Kosovë”, ka shkruar tabloidi serb “Kurir”. “Në Federatën e Futbollit të Serbisë, që është organizatore e ndeshjeve të Kupës së Serbisë, po mendohet për ndërrimin e lokacionit, kështu që sipas të gjitha gjasave, dueli do të luhet në Beograd, ku Zvezda do ta presë Trepçën”.
Mediumi serb i referohet reagimit të FFK-së si pengesë, e cila ka kërkuar nga FIFA e UEFA, si dhe nga Policia e Kosovës të reagojnë dhe të ndalojnë ndeshjet e tilla ilegale në territor të Kosovës.