ZRrE dhe Qeveria nuk mund të sillen sikur nuk po ndodh asgjë, Kosova rrezikon që as të mos gjejë energji për të blerë

Prishtinë | 22 Nën 2021 | 12:11 | Nga Ilir Ibrahimi

Kapacitetet gjeneruese vendore të energjisë elektrike në Kosovë shkojnë maksimum në rreth 800 Megavat.

Konsumi gjatë dimrit sipas matjeve të vitit të kaluar shkon deri ne 1400 megavat.

Pra sipas një matematike të thjeshtë Kosova ka një mungesë prej rreth 600 megavat të cilën duhet ta sigurojë nga importi, pra ta blejë.

Duke pasur parasysh që çmimet në tregun ndërkombëtar janë rritur 5-6 fish, atëherë kjo normalisht që ndikon edhe te çmimet në Kosovë. Pra çmimet do të rriten. Kush e thotë kundërtën, ose po mashtron me qëllim ose po gënjen.

Zyra e rregullatorit në kushte normale bën rishikimin e tarifave ( çmimeve) një herë në vit.

Por sot sektori i energjisë në botë nuk është duke funksionuar në kushte normale, dhe ZRE e Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë sikur nuk po ndodh asgjë.

Vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, tanimë kanë ndërmarrë hapa për ta tejkaluar këtë situatë më lehtë.

Kosova deri sot, përveç një deklarate të ministres Rizvanolli që të mos ngrohemi me rrymë, nuk e ka folur asnjë fjalë të vetme. Vendimi i vetëm në sektorin e energjisë, ka qenë që të alokohen edhe 6 milion EURO shtesë për të paguar faturat e qytetarëve serb në veri.

Rreziku është se gjatë muajve të dimrit, kur edhe rritet konsumi e kërkesa, Kosova rrezikon që edhe të mos gjej energji për të blerë. Kështu mund t’i kthehemi kohës së ndërprerjeve të mëdha të furnizimit me energji elektrike, si në kohën e pasluftës. Atëherë nuk do të mjaftojnë deklaratat e kota sepse deklaratat nuk na sjellin rrymë.

Kosova rrezikon të mbetet në terr në mes të dimrit dhe koha për të vepruar është dje.

Të ngjashme