Plani i reduktimeve të KEDS-it mund të marr fund së shpejti, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji ka dalë në terren për të kërkuar sqarime dhe dëshmi për ndërprerjet e energjisë që po i bënë kompania turke me arsyetimin e revizionit të rrjetit.
Plani i reduktimeve që po e bënë KEDS me arsyetim e revizionit mund të marrë fund së shpejti, pasi kjo e ka shtyrë ZRrE-në të dal në teren dhe ta vërtetojë se a mund të jetë mashtrim.
ZRrE këtë të premte do të delë me një raport zyrtar, të cilin do ta prezantojë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ku do të prezantojë të gjeturat dhe nëse ka pasur mashtrim nga ana e KEDS-it.
Kështu ka thënë në një përgjigje përmes postës elektronike, zyrtarja për media në ZRrE, Adelina Murtezaj Bajrami.
“Tashmë Bordi ka raportuar në lidhje me këtë çështje edhe para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri dhe në takimin e ardhshëm, që është planifikuar të mbahet të premten me 25 nëntor 2016, në Rend të Ditës është paraparë të shqyrtohen edhe të gjeturat e ekipeve profesionale të ZRrE nga monitorimet e tyre në terren”.
Murtezaj-Bajrami ka thënë se ekipet e këtij institucioni kanë dal në terren për ta vërtetuar dhe kanë kërkuar sqarime dhe dëshmi nga KEDS-i për reduktimet që është duke i bërë.
Deri më tash kanë dal disa deputet të Kuvendit të Kosovës duke e akuzuar KEDS-in se po e shet energjinë elektrike dhe po i len qytetarët në terr dhe duke u fshehur pas një plani të revizionimit të rrjetit.
“Siç edhe kemi njoftuar me herët ekipet e ZRrE kanë dal në teren për të vërtetuar si dhe kanë kërkuar sqarime nga KEDS në lidhje me ndërprerjet e ditëve të fundit të energjisë elektrike. ZRrE ka kërkuar dëshmi dhe është në proces të vërtetimit të tyre dhe të ndërprerjeve që KEDS ka aplikuar gjatë ditëve të fundit”, ka thënë Murtezaj-Bajrami.
Ajo ka theksuar se ZRrE po ashtu ka kërkuar për rrjedhat e energjisë për ta vërtetuar se a po përputhen planet e deklaruara për bilancin energjetik të këtij viti.
“Po ashtu, ZRrE ka kërkuar jo vetëm nga KEDS por edhe nga operatorët e tjerë raportet për rrjedhat e energjisë për të vërtetuar se a janë sjellur të gjithë operatorët sipas rregullave dhe planifikimeve që kanë deklaruar në Bilancin energjetik të këtij viti. Gjenerimi Transmisioni, Furnizimi, importet dhe eksportet janë të parapara në Bilancin Energjetik dhe monitorohen nga ZRrE, e cila sigurohet që të gjitha rrjedhat e energjisë janë në përputhje me Rregullat dhe Bilancin energjetik”, ka thënë Murtezaj-Bajrami.
E në rast që vërtetohet se ka pasur manipulime, stafi i ZRrE-së, do t’i raportojë bordit dhe ky i fundit do të merr masa ndëshkuese ndaj KEDS-it.
“Sa i përket ndërprerjeve të ditëve të fundit, stafi profesional i ZRrE-së është duke monitoruar dhe për çdo devijim nga rregullat dhe procedurat do të raportoj Bordin e ZRrE-së i cili është përgjegjës për vendimmarrje në rast të ndonjë shkelje të qëllimshme të rregullave dhe kushteve të licencës nga ndonjë nga operatorët”, ka theksuar ajo.
Ndërsa deputeti i Nismas për Kosovën që është pjesë e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Enver Hoti, ka thënë për lajmi.net se reduktimet nuk janë çështje të rregullimit të rrjetit, por bëhet fjalë për shitblerje të energjisë elektrike.
“Unë mendoj se nuk është çështja te rregullimi i rrjetit, por këtu ka ndonjë çështje të shitblerjes së energjisë edhe bëhen lojëra tjera, por mua më duhet të konsultohem me të vërtetën”, ka thënë ai për lajmi.net
Ai ka thënë se nuk është se i beson shumë as raportit që do ta sjellë ZRrE-ja dhe as KEDS-it.
“Megjithëse unë nuk i besoj shumë as ZRrE-së e as KEDS-it”, ka thënë Hoti.
Deputeti i AKK-së, Rrustem Berisha, që është po ashtu anëtar i komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ka thënë se duhet të përfundojë më ndërprerja e energjisë elektrike.
“Nuk duhet të ketë më ndërprerje të energjisë, sepse u bënë 18 vite pas luftës dhe ne ende po merremi me ndërprerje të energjisë elektrike”.
“Ne do ta mbikëqyrim raportin dhe do të jem të kujdesshëm që qytetarët tanë të kenë energji”, ka thënë Berisha për lajmi.net.
Ndërsa një zyrtar i ZRrE-së i ka thënë lajmi.net në kushte anonimiteti se i gjithë bordi i ZRrE-së është i revoltuar me reduktime dhe me arsyetimin e KEDS-it që e bënë çdo ditë për revizionim.
“Të gjithë anëtarët e bordit janë të revoltuar dhe po e quajnë mashtrim këtë planin e reduktimeve dhe për këtë kanë kërkuar hetim”, ka thënë ky zyrtar i ZRrE-së që nuk ka dashur t’i përmendet emri.
Javën që shkoi edhe Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së ka hedhur kritika të ashpra për reduktimet e energjisë elektrike.
Ndryshe KEDS-i është duke aplikuar reduktime të energjisë elektrike për çdo ditë me arsyetimin se është duke bërë revizionim të rrjetit.(Lajmi.net)