Drejtuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) raportuan, të martën, para Komisionit për Zhvillim Ekonomik në lidhje me raportin financiar për vitin 2016.
Krenar Bujupi, nga ZRrE-ja, tha se kjo zyrë ka marrë 126 vendime të cilat kanë pasur të bëjnë me monitorimin e tregut, liberalizimin e tregut, mbrojtjen e konsumatorit etj.
Ai bëri të ditur se gjatë viti 2016 kanë zbritur tarifat komerciale. Po ashtu, tha se janë aprovuar edhe ligjet e reja që kanë pasur të bëjmë me liberalizimin e tregut, raporton Ekonomia Online.
“Një ndër çështjet më të rëndësishëm ka qenë udhëzuesi për liberalizimin e tregut, ku janë paraqitur ndryshimet që legjislacioni ka pësuar në lidhje me implementimin e pakos së tretë. Ndër kritikat që kemi pasur ka qenë moslicencimi për furnizuesit e rinj. Ne kemi licencuar tre furnizues të rinj që kanë të dejtë të furnizojnë çdo konsumator”, tha Bujupi.
Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit parlamentar, tha se ZRrE-ja ballafaqohet me sfida, por vlerësoi se në përgjithësi ka pasur përmirësime në këtë sektor.
“Një çështje problematike që është ende janë humbjet e mëdha të energjisë. Mendoj që këtë çështje duhet ta marrim seriozisht. Mendoj që konsumatorët e rregullt nuk duhet të paguajnë për ata të papërgjegjshmit. Kjo duhet të ndalet”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në standardet e cilësisë nuk ka pasur ndonjë përmirësim.
Gjithashtu ai i ka rekomanduar ZRrE-në që në të ardhmen të bëhet edhe matja e kënaqshmërisë së konsumatorëve.
Mustafa tha që edhe nëse nuk ka ankesa nga konsumatorët, ZRrE-ja me vetiniciativë duhet të dalë në terren që të kontrollojnë faturimin, pasi sipas tij nganjëherë mënyra e faturimit duket e palogjikshme.
Deputeti Blerim Grainca tha se nga raporti shihet se vetëm 50% të ankesave të qytetarëve iu është kthyer përgjigjeje, ndërsa pyeti zyrtarët e ZRrE-së se nëse tarifat e reja që janë bërë kanë ndikuar në mirëqenien e qytetarëve.
“Tek çështja e ankesave të konsumatorëve nga raporti shihet se vetëm 50 për qind të këtyre ankesave i është kthyer përgjigje, a është kjo si rezultat i kapaciteteve mos kthyerja e përgjigjes apo është ndonjë arsye tjetër dirsa sa i përket ndryshimit të tarifave që janë bërë dua të dijë sa ka ndikuar kjo në çështjet e furnizimit, pakënaqësitë e qytetarëve se si është pritur kjo nga ta”, tha ai.
E, deputeti Raif Qela tha se ZRRE duhet të shtoj monitorimin e operatorëve e sidomos të atyre për furnizim me energji elektrike derisa ka përshëndetur ndëshkimin që i ka bërë ZRRE njërit prej operatorëve.
“Të shtohet në sasi dhe në cilësi monitorimi i operatorëve , sidomos i operatorëve të furnizimit me energji elektrike. E përshëndes ndëshkimin që i është bërë njërit prej operatorëve i cili ka raportuar s energjia është ndërprerë për shkak të planifikimeve dhe jo për shkaqe të tjera”, ka thënë Qela.
Ndërsa deputeti Enver Hoti kërkoi të dijë se pse energjia e importuar është blerë për 46 euro ndërsa është shitur për një çmim shumë më të ulët.
“Unë do të isha fokusuar të eksporti dhe importi i energjisë eklektike për vitin 2016 dhe është interesant që ju e keni paraqitur një aktivitet bukur të ngjeshur të këtij raporti por mua më bie në sy një çmimi ku thuhet se energjia elektrike e importuar me kontratë komerciale për vitin 2016 është bërë për 46.72 cent për megavat kurse eksporti është bërë për për një çmim shumë më të ulët për 29 euro e diçka”, tha ai.