Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk e ka publikuar vendimin për hetimin e gjerë që e ka bërë ndaj KEDS-it, pasi këta të fundit aplikonin reduktime me arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit.
Hetimi preliminar që ishte bërë kishte konstatuar se KEDS kishte bërë mashtrime me arsyetimin e mirëmbajtjes së rrjetit, duke mos i kryer punët që i kishte prezantuar në raportin e mirëmbajtjes.
14 dhjetori ka qenë data kur ZRRE është dashur ta publikonte raportin, bashkë me raportin vjetor të mbikëqyrjes së KEDS-it ku do të publikoheshin edhe të dhënat tjera për investime të këtij operatori.
Lajmi.net tash e dy ditë ka provuar ta marr një qëndrim të ZRRE-së, por zëdhënësja e këtij institucione Adelina Murtezaj, ka qenë e zënë.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Raif Qela që është edhe anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ka thënë për lajmi.net se ende nuk ka shkuar asnjë dokument nga ZRRE në këtë komision.
“Ende nuk kemi ndonjë raport zyrtar nga ZRRE. Ne nuk kemi marr kurrfarë shkese prej ZRRE lidhur me ndërpret e rrymës, as lidhur me hetimet kohët e fundit”, ka thënë Qela për lajmi.net.
Lajmi.net merrë vesh se tash e dy ditë ZRRE-ja është duke mbajtur mbledhje të bordit, pavarësisht se raportin e ka gati, nuk është duke e lëshuar për opinionin.
Ndryshe raporti preliminar që ishte bërë nga ZRRE kishte konstatuar disa shkelje që i kishte bërë KEDS-i.
“Bazuar në të gjeturat, bordi i ZRRE-së konsideron se ka bazë të mjaftueshme për dyshimin se procesi i ndërprerjeve të planifikuara është përcjell me parregullsi, dhe si rrjedhojë ka vendosur ta thelloj hetimin në lidhje me parregullsitë të cilat kanë të bëjnë me: a. Mos përputhje në mes planeve të dërguara në ZRRE dhe planeve të publikuara. b. Mirëmbajtjet të cilat nuk janë realizuar, përkundër ndërprerjeve për këtë qëllim. c. Kohëzgjatja nga katër orë për secilën mirëmbajtje, pavarësisht natyrës së punëve që duhet të kryheshin. d. Përshkrimet jo adekuate në dokumentet përcjellëse. e. Ndërprerje e shpeshta të daljeve të njëjta brenda muajit”, thuhet në dokumentin që ZRRE e ka nxjerr për hetimin preliminar.
Lajmi.net është mediumi i parë që ka publikuar shkrime për atë se si KEDS-i gënjente se po mirëmbante rrjetin dhe aplikonte reduktime të gjata. Pas publikimit të shkrimeve ZRRE ia ndaloi KEDS-it reduktimet me arsyetimin e mirëmbajtës së rrjetit.