Zv.drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore: Rreth një milion euro kërkohen në muaj për trajtim mjekësor jashtë vendit

Prishtinë | 26 Mar 2024 | 12:49 | Nga Valmire Abdullahu

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri, tha se Qeveria e Kosovës i ka ndarë 15 milionë euro shtesë këtij fondi për programin për trajtim jashtë vendit. Ndërsa 1 milion euro kërkohen në muaj për trajtim jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.

Ai bëri të ditur se mbi 800 lëndë janë shqyrtuar dhe aprovuar nga bordi për trajtim jashtë vendit, të gjitha ato lëndë të cilat i kanë plotësuar kriteret me Udhëzimin e ri Administrativ.

“Rreth 1 milion euro është vlera mujore e kërkesave për trajtim jashtë vendit. Rreth 15 milionë Euro është vlera e borxhit bashkë me detyrimet e rasteve të rregullta”, ka deklaruar Kaquri.

Ai ka folur për rastet që kërkojnë ndihmë për trajtim jashtë vendit në rrjetet sociale nga qytetarët. Sipas Kaqurit, ka raste kur nuk kanë kërkuar ndihmë fare paraprakisht në Fond.

“Ka raste kur familjarët nuk duan që të kërkojnë ndihmë në Fond, thonë se me vet dëshirë i dërgojnë familjarët për trajtim jashtë vendit. Ne nuk mund t’i ndalojmë këto raste. Ka edhe raste kur keqpërdoren thirrjet për ndihmë”, ka thënë Kaquri.

Kaçuri shtoi se në raportin e fundit të dërguar në Ministrinë e Financave shuma totale e obligimeve është 15 milionë euro duke përfshirë ato kontingjente dhe obligimet e rregullta.

“Me Udhëzimin e ri Administrativ kemi bërë një bazë të mirë ligjore që ka eliminuar procesin e parapagimit për rastet e rregullta, sepse në ta kaluarën rastet e rregullta janë parapaguar në bazë të pro-faturës të dorëzuar nga ana e pacientëve dhe bordi për trajtim jashtë vendit në bazë të dokumentacionit mjekësor dhe financiar ka aprovuar kërkesën mirëpo nuk është ditur asnjëherë saktë vlera e shërbimit që ka marrë pacienti”, tha ai.

Kaçuri u shpreh se ka ndodhur që vlera e pro-faturës ka qenë 10 mijë euro ndërsa vlera e shërbimit të pacientit të marrë është 8 mijë euro dhe 2 mijë euro kanë mbetur të lira.

“Kjo metodë është ndërprerë dhe është përcaktuar se kërkesat për rastet e rregullta së pari bëhet aprovimi i kërkesën nga ana e bordit për trajtim jashtë vendit ku merret vendim për aprovimin e kërkesës për fillimin e trajtimit në ndërkohë pala pasi të merr shërbimin shëndetësor është e obliguar që në fund të sjellë faturën dhe raportin mjekësor për shërbimet e marra. Nëse nuk i sjellë nuk mund të aprovohet kërkesa”, u shpreh ai.

Të ngjashme