Zv.ministri i Arsimit thotë se shumica e mësimdhënësve janë vaksinuar, kërkon angazhimin e prindërve

Prishtinë | 14 Jan 2022 | 13:04 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në një konferencë për medie ka dhënë detaje për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, raporton Ekonomia Online.

Pupovci ka bërë të ditur se shumica e mësimdhënësve janë vaksinuar, kurse për numrin e nxënësve të vaksinuar, tha se momentalisht MAShTI nuk ka të dhëna të sakta, por do të kërkohen nga data-baza e Ministrisë së Shëndetësisë, duke shtuar se numri i vaksinimit të nxënësve nuk është kënaqshëm dhe për këtë duhet angazhim më i madh i prindërve.

“Vaksinimi është mbrojtja më e sigurt dhe shumica e mësimdhënësve janë vaksinuar. Nuk kemi të dhëna, po do të kërkojmë nga Ministria e Shtetësisë, po nuk është një numër që mund të krenohemi, prandaj edhe prindërit duhet që të angazhohen në këtë drejtim”.

Pupovci ka ftuar të gjithë që të respektojnë masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKShPK, në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik dhe të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor.

Pupovci ka thënë se, janë Task-Forcat në nivel komune që do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla, ndërsa, Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK dhe për dezinfektim të vazhdueshëm të hapësirave shkollore.

Pupovci ka thënë se edhe këtë vit, përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja, si video-mësimet sipas planprogramit të klasave 1-9, që po vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), e që gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI, sikur edhe në platformën mësimore shkollat.org. Ndërsa, shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platforma dhe aplikacione të tjera.

“Procesi mësimor ka filluar të hënën me skenarin e plotë ku te gjithë nxënësit janë me orar të plotë. Udhëzuesi parasheh që mësimi është me prezencë fizike, online dhe distanca”.

“Janë Task-forcat që vlerësojnë se me cilin skenar të punohet. Janë drejtoritë që hapësirat të jenë të sigurta. Shkollat janë të lira të shfrytëzojnë edhe platformat e tjera”.

Duke folur për punësimin e asistentëve për nxënësit me nevoja të veçanta, Pupovci ka thënë se, në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistentëve për nxënësit me nevoja të veçanta, raporton EO.

“…i nevojshëm është punësimi i asistentëve me nevoja të veçanta ku janë siguruar fonde për 100 asistentë.  Është me rëndësi që këta persona të shpërndahen nëpër shkolla. Pika e tretë ka të bëjë me këshillin e shkencës dhe është jetësuar njëri nga premtimet e programit qeverisës dhe presim që ky këshill ta zhvillojë programin e shkencës”.

“Ndarja në komuna është bërë përmes grantit specifik të arsimit dhe komunat janë përcaktuar se sa asistentë ju nevojiten. Aty ku ka fëmijë me nevoja të veçanta t’i korrigjojmë”.

Të ngjashme