Gjatë vitit 2013 turistët kanë shpenzuar 3.6 për qind më tepër në vizitat e tyre në vendet turistike të Zvicrës se sa një vit më parë
Në Zvicër shënohet sërish rritje e numrit të turistëve të huaj, gjegjësisht e shumës së parave të fituara nga turizmi. Gjatë vitit 2013 turistët kanë shpenzuar 3.6 për qind më tepër në vizitat e tyre në vendet turistike të Zvicrës se sa një vit më parë.
Ose, e kthyer në shifra, kjo shumë është 15.6 miliardë franga.
Ndërkaq në vitin 2012 fitimet nga turizmi patën shënuar një rënie prej 1.3 për qind në krahasim me vitin paraprak, bën të ditur Zyra Federale e Statistikave.
Pjesën më të madhe, ose dy të tretat e të ardhurave nga turizmi e përbën turizmi klasik me udhëtim dhe fjetje në Zvicër, shkruan srf.ch. Të hyrat nga bujtjet në hotelieri dhe parahotelieri gjatë vitit 2013 janë rritur për 0.8%.
Ndërkohë, po vjen duke u rritur rëndësia e të hyrave nga qëndrimi në Zvicër i të huajve për shkollim e kualifikim si dhe për shërim. Sipas statistikave të zyrës së përmendur ky lloj turizmi është rritur për 5.5 për qind duke mbërritur në shifrën 3.2 miliardë franga.
Rritjen e të ardhurave nga turistët e huaj specialistët e shpjegojnë me faktin se çmimet në Zvicër kanë filluar sërish të bëhen më atraktive.