Qeveria zvicerane sapo e shpalli vendimin që pritej: Mbyllen të gjitha lokalet hoteliere, si restorantet, kafenetën baret. Nuk ka përjashtime as për ditët e pushimit, siç përflitej.
Vetëm mensat dhe restorantet e kompanive dhe shkollave si dhe restorantet interne për mysafirët e hoteleve lejohen të qëndrojnë të hapura, po njoftojnë para gazetarëve në këto çaste në Bernë presidentja e federatës, Simonetta Sommaruga dhe ministrat Berset e Parmelin.
Lejohen gjithashtu shërbimet “take away” dhe ato të shpërndarjes. Furrat e bukës lejohen të ofrojnë gamën e plotë të shërbimit, edhe të dielave në kushte të caktuara.
Objektet e kohës së lirë dhe kulturore po ashtu do të mbyllen. Këtu përfshihen: muzetë, kinematë, bibliotekat, kazinotë dhe kopshte zoologjike.
Aktivitetet kulturore mbeten të mundshme në grupe të vogla. Ngjarjet me një audiencë mbeten të ndaluara.
Objektet sportive do të jenë gjithashtu të mbyllura, transmeton albinfo.ch. Ndalohet trajnimi individual dhe grupor në ambiente të mbyllura ndërsa sportet mund të praktikohen jashtë në grupe me deri në pesë persona.
Lojërat profesionale mund të zhvillohen pa spektatorë. Aktivitetet nga fëmijët dhe të rinjtë para moshës 16 vjeçare janë ende të lejuara, me përjashtim të garave.
Përjashtime të mundshme do të ketë në kantone individuale. Kantonet me zhvillime të favorshme epidemiologjike mund të vendosin lehtësime, për shembull hapjen e restoranteve dhe mjediseve sportive.
Zonat e skive aktualisht mbeten të hapura por atyre u nevojitet leje nga kantoni përgjegjës dhe një koncept gjithëpërfshirës i mbrojtjes për të funksionuar.
Kapaciteti i dyqaneve do të kufizohet edhe më tutje, përcjell albinfo.ch. Numri maksimal i njerëzve varet nga hapësira e lirë e shitjes me pakicë. Dyqanet duhet të mbyllen ndërmjet orës 19:00 dhe 6 të mëngjesit dhe të dielave si dhe gjatë festave zyrtare.
Popullsisë i kërkohet të qëndrojë në shtëpi. Njerëzit duhet të mbajnë në minimum kontaktet e tyre shoqërore dhe të shmangin udhëtimet.
Përdorimi i testeve të shpejta po zgjerohet. Tani ato mund të kryhen edhe pa pasur simptoma, për shembull në shtëpi ose në punë. Kushdo që kryen një test të shpejtë jashtë kritereve të caktuara për testim duhet të paguajë vetë, transmeton albinfo.ch. Farmacitë, spitalet, ordinancat mjekësore dhe qendrat e testimit tani lejohen të kryejnë të gjitha testet e shpejta që plotësojnë kriteret e BAG.