Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Jetlir Zyberaj, është i bindur se bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), parti me të cilën janë bashkë në një listë, do të jenë fituese të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit.
Zyberaj në një intervistë për Ekonomia Online shpreson që pa vonesa të themelohen institucionet e reja me kredibilitet dhe legjitimitet të plotë.
“Lista jonë e përbashkët me LDK-në ka për qëllim që t’i fitojë zgjedhjet, është shumë pak e rëndësishme pastaj ndarjet e brendshme se si rrjedhin, por listën tonë të përbashkët që kemi prezantuar ditëve të kaluara ta nxjerrim fituese”.
Tutje Zyberaj shpjegon edhe për mosmarrëveshjen me LDK-në si pasojë e ndryshimit të listës, i cili thotë që nuk ka asnjë problem në mes dy partive.
“Ka qenë një keqkuptim në momentin e dorëzimit paraprak të listës së kandidatëve për deputetë, ju siç e dini nga dorëzimi fillestar i listës që ka qenë ditën e shtunë, në ora 18:00 dhe që ekziston një afat kohor prej 24 orëve për përmasime të mundshme ka ndodhur një lëshim në listën e kandidatëve për deputetë, por i cili nuk nënkupton që ka qenë problemi i joni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai problem është zgjidhur dhe nuk ka absolutisht asnjë telash në këtë drejtim, e as nuk ka pasur”.
Sipas tij, kanë pak rëndësi ndarjet e brendshme se si rrjedhin, e rëndësishme për është që me listën e tyre të nxjerrin më të mirën e mundshme.