Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka organizuar tryezën ku edhe ka publikuar raportin vjetor mbi zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi për vitin 2025.
Ky raport paraqet të gjeturat kryesore mbi funksionimin e mekanizmave institucionalë, sfidat në zbatimin e ligjit, si dhe nivelin e reagimit institucional ndaj rasteve të diskriminimit në vend.
Gjithashtu, ai synon të vlerësojë progresin e arritur gjatë vitit raportues dhe të identifikojë fushat ku nevojiten përmirësime të mëtejshme në politikat dhe praktikat kundër diskriminimit, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe ndërhyrjeve në terren gjatë prezantimit të raportit.
“Do të thotë si zyre koordinuese ne kemi arritur që t’i ngrisim kapacitetet e 402 profesionistëve në dy nivele të qeverisjes. Pastaj ka qenë një angazhim për t’i ngritë kapacitetet e policëve sa i përket gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, me fokus të veçantë tek kadetët e rinj, do të thotë, policë, si dhe duke angazhuar apo për të pas pjesëmarrje më të gjerë të sektorit të policisë në nivel, do të thotë, rajonal. Kemi organizuar gjithashtu seancën informuese në komunat e Kosovës në fokus të veçantë në zonat rurale, duke përfshirë grupet më të ndjeshme të shoqërisë, siç janë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se janë ndërmarrë veprime edhe në sektorin privat dhe në institucionet arsimore për parandalimin e diskriminimit.
“Pastaj kemi pasur reagim të shpejtë në sektorin privat, që ka treguar se nuk ka pasur ndonjë ditë kur nuk kemi vepruar. Rregullisht kemi bërë raportim vjetor për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit. Megjithatë, kemi pasur shumë pak progres në sektorin privat. Viti 2025 ka rezultuar me progres, falë angazhimit dhe punës sonë në terren. Kemi arritur që në disa laboratorë teknikë, si dhe në disa markete të mëdha në Kosovë, të ketë reagim të shpejtë dhe marrje të masave sa i përket parandalimit dhe luftimit të diskriminimit, në veçanti ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Pastaj kemi pasur reagim edhe në parandalimin e diskriminimit në arsim nga Inspektorati i Arsimit, falë angazhimit tonë si zyre dhe si trup koordinues, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile“, shtoi ai.
Përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Kosovë, Jerome Bouyjou, vlerësoi raportin dhe rekomandimet e tij si të rëndësishme për përmirësimin e politikave dhe praktikave.
“Ky raport është një instrument jetik, për të përmirësuar praktikën. Kombet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur përgatitjen e tij së bashku me partnerin tonë, OJQ Advancing Together, dhe dëshirojmë të falënderojmë Bashkimin dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyer, dhe të urojmë ekspertët për raportin e tyre shumë, shumë të mirë, të prodhuar këtë vit. Përtej zbatimit gjetjet tregojnë nevojën për reforma strukturore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, harmonizimin e roleve të zyrtarëve komunalë kundër diskriminimit, dhe sigurimin e programeve sistematike të trajnimit. Pra, mendoj se këto janë drejtime të rëndësishme që, nuk janë të reja, por që janë theksuar vërtet shumë në këtë, raport shumë të mirë. Unë, dëshiroj të nënvizoj gjithashtu rëndësinë e përdorimit dhe rregullimit të indikatorëve të matshëm bazuar në metodologjinë e OKB-së, OHCHR, ndër të tjera, për të matur diskriminimin dhe për të promovuar të drejtat e njeriut. Unë e mirëpres shumë iniciativën e qeverisë për të rishikuar ose për të hartuar një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi, duke vënë në dukje se gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti janë në kohën e duhur dhe mund të forcojnë kornizën e re ligjore. Do të bëja thirrje për përforcimin e mekanizmave ekzistues specifikë përgjegjës për zbatimin, krahas shtrirjes më të madhe publike dhe rritjes së ndërgjegjësimit midis qytetarëve. Gjetjet e raportit nuk duhet vetëm të informojnë ligjin e ri për mbrojtjen nga diskriminimi, por edhe hartimin e programit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë 2026-2031“, tha ai.
Drejtor i Organizates “Advancing Together”, Bashkim Ibishi tha se këto raporte nuk duhet të jenë vetëm obligime administrative apo ligjore, por mjete konkrete për të identifikuar sfidat.
“Konsideroj që raportet e tilla nuk duhen me qenë vetëm si obligime administrative apo ligjore, por më tepër, konsideroj që ato janë mjete konkrete për me identifiku sfidat, në mënyrë për me mujt me kuptu boshllëqet në zbatim dhe për me orientu institucionet drejt politikave më efektive dhe gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, mendoj që kontributi i organizatës së shoqërisë civile në këtë rast edhe i joni, është edhe një proces shumë më i rëndësishëm institucional, sikurse që e përmendën edhe përforcimin e hartimin e programit për të drejtat e njeriut. Besoj që këto dokumente strategjike do të krijojnë një bazë të fuqishme, për me mbrojt dhe promovu të drejtat e njeriut në Kosovë, duke fuqizu koordinimin institucional dhe duke ofruar më shumë standardet tona me vlerat evropiane dhe ndërkombëtare. Për ne, mbrojtja dhe mbrojtja nga diskriminimi nuk është vetëm çështje ligjore, por është çështje e demokracisë, e barazisë sociale dhe mundësive të barabarta për gjithsecilin qytetar. Prandaj, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, partneriteteve, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare mbetet thelbësor për të siguruar të drejtat e njeriut që mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen në praktikë dhe të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve të Republikës“, tha ai.
Drejtori Habit Hajredini foli gjithashtu për rezultatet e raportit lidhur me rastet e diskriminimit të iniciuara nga raportimet mediale.
“Në pyetjen lidhur me numrin e rasteve të iniciuara, bazuar në raportimet mediale, ka rezultuar se institucionet janë përgjigjur që për vitin 2025 nuk ka pasur asnjë rast të iniciuar, pra zero raste të diskriminimit të iniciuara si rezultat i raportimeve mediale. Në këtë kontekst, 90.9% e institucioneve janë përgjigjur se nuk kanë iniciuar asnjë rast të tillë. Në këtë kuadër të statistikës, duhet theksuar një fakt i rëndësishëm që nuk duhet lënë pa u përmendur: në Platformën Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, janë katër raste që janë iniciuar dhe janë zgjidhur si rezultat i raportimeve mediale. Këto raste nuk janë përfshirë në këtë pjesë të statistikave, pasi trajtohen veçmas në një pjesë tjetër të raportit. Është me rëndësi të theksohet se në këto raste, mediat kanë reaguar dhe, si rezultat i këtij reagimi, institucionet përkatëse përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe institucione të tjera kanë ndërmarrë veprime dhe kanë trajtuar rastet. Pra, bëhet fjalë për raste që kanë dalë si rezultat i raportimeve mediale ose si pasojë e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme nga individë të caktuar në media, e cila ka rezultuar me diskriminim mbi baza etnike dhe me elemente të gjuhës së urrejtjes. Kjo është me rëndësi të theksohet. Më tej, duke pasur parasysh brishtësinë e institucioneve dhe mekanizmave ekzistues, është vlerësuar edhe niveli i monitorimit proaktiv dhe koordinimit institucional. Në këtë drejtim, 51.5% e institucioneve janë përgjigjur se nuk kryejnë monitorim sistematik dhe proaktiv. Kjo situatë lidhet edhe me faktin se disa institucione kanë deklaruar se ende nuk i kanë të përcaktuara plotësisht detyrat e tyre institucionale në këtë fushë. Ndërsa 34.4% kanë deklaruar se bëjnë një formë të monitorimit proaktiv dhe trajtojnë rastet e diskriminimit“, theksoi ai.
