Zyrtarët financiarë trajnohen për kontroll të brendshëm të financave publike

Prishtinë | 11 Pri 2017 | 11:23 | Nga

Në kuadër të Marrëveshjes së nënshkruar në mes të Ministrisë e Financave dhe Qeverisë së Luksemburgut, duke filluar nga sot deri më 14 prill, Njësia Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave organizon trajnimin 4 ditorë për të gjithë zyrtarët kryesor financiar në të gjitha subjektet e sektorit publik në Republikën e Kosovës, me temën “Menaxhimi dhe Kultura e Rrezikut në procesin e Kontrollit dhe Auditimit të brendshëm”.

Ky trajnim, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve në fushën e kontrollit të brendshëm të financave publike dhe transparencën, llogaridhënien menaxheriale, efikasitetin dhe performancën e Qeverisjes si tërësi.

Në hapje të këtij trajnimi drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave, Kosum Aliu falënderoi Qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Qeverisë së Kosovës për ngritjen e kapaciteteve në fushën për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

“Edhe njëherë shpreh një falënderim të veçantë për Qeverinë e Luksemburgut për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe këto bashkëpunime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen në të gjitha fushat, gjithmonë në interes të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira me qëllim të zhvillimit të kontrollit të brendshëm të financave publike në të gjitha subjektet e sektorit publik”, shtoi Drejtori Aliu.

Drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese Kosum Aliu theksoi se ky trajnim po organizohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në mes të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Luksemburgu dhe se gjatë këtij trajnimi pjesëmarrësit do të kenë rastin të njihen me përvojat e reja në fushën e kontrollit, menaxhimin e rrezikut, kulturën e rrezikut dhe auditimin e brendshëm. Ndërsa Trajnimi do të bëhet nga eksperti / trajneri i shtëpisë trajnuese “HOUSE OF TRAINING” nga Luksemburgu David Richards “.

“Trajnimi ka për qëllim të zhvillojë një kulturë të integruar dhe të gjerë institucionale të rrezikut, të bazuar në një kuptim të plotë të rreziqeve me të cilat përballen subjektet e sektorit publik dhe si të menaxhohen ato”, shtoi Drejtori Aliu.

Sipas tij, subjektet e sektorit publik nën mbikëqyrjen e strukturave menaxheriale, janë përgjegjëse për menaxhimin e rreziqeve në baza ditore. Kjo do ta ndihmoj menaxhmentin e lartë për të përcaktuar qëndrimin e organizatës sa i përket rrezikut (qasjes lartë-poshtë), duke përcaktuar nëse një rrezik është krejtësisht i pranueshëm ose i papranueshëm.

“Të gjitha subjektet e sektorit publik kanë nevojë për të adresuar rreziqet e tyre të veçanta. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve tuaja dhe do të zvogëloj probabilitetin e një rezultati negativ. E përsëris edhe njëherë se menaxhimi i rrezikut në subjekte të sektorit publik ka për qëllim promovimin në identifikimin e rrezikut, mënyrat me të cilat rreziku mund të minimizohet dhe të zvogëlojë mundësinë e një dështimit të caktuar”.

Sipas, drejtorit Kosum Aliu, ky trajnim është një shans i mirë për të gjithë zyrtarët kryesor financiar për përfitimin e njohurive të reja në këtë fushë dhe të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata për vijimin e trajnimit.

“Konsideroj që njohurit që do ti merrni nga ky trajnim do të ju shërbejnë gjatë kryerjes së detyrave të përditshme dhe njëkohësisht ju inkurajoj që përvojat e marra ti shpërndani tek stafi juaj me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në të gjitha subjektet e sektorit publik”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme