Drejtori për komunikim në Partinë Demokratike të Kosovës, Bashmir Xhemaj ka thënë se Rusia zyrtare i është gëzuar lajmit për ngritjen e aktakuzave ndaj ushtarëve e prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Xhemaj ka thënë se ky gëzim i Rusisë vjen pas shumë vitesh që kanë fabrikuar dëshmi e akuza ndaj UÇK-së.
“Ashtu siç pritej, pas shumë vitesh luftë speciale nën rogoz për të fabrikuar dëshmi e akuza ndaj UÇK-së dhe Kosovës, Rusia edhe zyrtarisht i është gëzuar fillimit të punës së Gjykatës Speciale. Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një komunikate paska kërkuar të dënohen ushtarët e UÇK-së, pa dallim, duke i kërkuar Perëndimit t’i hapë sytë për shtetësinë e Kosovës.“Kosova ka kohë që është bërë vatër e ekstremizmit dhe krimit si fqinjë i BE-së. Ne shpresojmë, që më në fund, Perëndimi të hapë sytë ndaj paralajmërimeve për natyrën e vërtetë të “shtetësisë” së Kosovës”, përfundon cicërrima skandaloze në Twitter e MPJ-së ruse”, shkruan Xhemaj.
Xhemaj tha se “Edhe ata pak njerëz në Kosovë që kanë pasur dyshime për karakterin e vërtetë të Speciales dhe kush qëndron prapa, duhet të binden tani se ajo po përdoret tash e një kohë si instrument për të goditur të arriturat tona dhe vë në pikëpyetje shtetin e Kosovës”.
“Nuk është më sekret se rusët, serbët dhe kundërshtarët e Kosovës, pa dallim, e nxitën, financuan dhe prodhuan raportin e Dick Martyt që e solli Specialen. Qëllimi i kahmotshëm është zhbërja e Kosovës së pavarur, duke gjykuar pikërisht UÇK-në dhe themeluesit e saj”, shkruan ai.