Një zyrtar i lartë i Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) ka lavdëruar përpjekjet humanitare të Turqisë, duke thënë se vendi ka qenë “një model i mikpritjes”.
“Turqia ka qenë një shembull për sa i përket strehimit të refugjatëve. Mbi tre milionë njerëz ende jetojnë në Turqi si refugjatë. Mendoj se me të vërtetë nga ajo perspektivë, Turqia ka qenë një model i mikpritjes dhe ofrimit të shërbimeve për një popullsi që vërtet kishte nevojë”, tha Alanna Armitage, drejtoresha rajonale e fondit për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, në një intervistë për AA.
Duke theksuar se ka pasur “përparim të madh” në disa fusha lidhur me popullsinë dhe zhvillimin në të gjithë rajonin e Komisionit Ekonomik të OKB-së për Evropën (UNECE), Armitage tha: “Mendoj se ne duhet të jemi të lumtur për disa gjëra vërtet të mira që kanë ndodhur në rajon në pesë vitet e fundit, veçanërisht në lidhje me zvogëlimin e vdekshmërisë maternale dhe Turqia ka qenë një vend që ka bërë jashtëzakonisht punë të mirë edhe në atë zonë”.
Ajo tha se dinamika e popullsisë, shëndeti seksual dhe riprodhues gjatë gjithë jetës dhe pabarazia ishin çështjet kryesore që u theksuan gjatë “Konferencës Rajonale mbi Mundësimin e Zgjedhjeve: Dinamika e Popullsisë dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm” i UNECE-s dhe UNFPA-së, i mbajtur më 1 dhe 2 tetor në Gjenevë.
Armitage vuri në dukje se rajoni i UNECE-s po përjeton “një fenomen, i cili është unik dhe nuk vërehet aq shumë në rajonet e tjera, që është një shkallë shumë e ulët e lindshmërisë, popullsia plakur dhe migrimi në masë të madhe”.
Ajo u bëri thirrje vendeve të rajonit që të trajtojnë çështjen “nëpërmjet investimit në kapitalin njerëzor, si dhe investimeve te të rinjtë përmes atyre në barazinë gjinore”.
Përsa i përket çështjes së migracionit, Armitage tha se disa vende në rajon po përballen me “largimin e të rinjve”.
“Kjo është e vështirë dhe shumë sfiduese për ekonomitë e këtyre vendeve. Sidomos në Evropën Lindore, ne po shohim migrim në masë të madhe të të rinjve”, theksoi Armitage.