Ish-sulmuesi legjendar argjentinas, Gabriel Batistuta, ka thënë se qendërsulmuesi i Interit, Mauro Icardi, është më i mirë se qendërsulmuesi i Juventusit i huazuar në Milan, Gonzalo Higuain, pasi ai ka përparësinë e moshës, si dhe gjithmonë shënon shumë gola.
Batistuta kishte luajtur për një kohë të shkurtër në vitin 2003 si sulmues në Interi, i huazuar nga Roma. Ai kishte luajtur për vetëm 12 ndeshje, gjatë të cilëve kishte arritur t’i shënonte dy gola, transmeton Gazeta Express.
Icardi, tani kapiten i zikaltërve, luan për Interin që nga viti 2013, kur u transferua nga Sampdoria për 13.3 milionë euro. Ai ka arritur të bëhet një nga sulmuesit më të rrezikshëm në Serie A, duke i shënuar 117 gola në 120 ndeshje në këtë ligë.
Ndërsa, Higuaini ishte transferuar në Itali në vitin 2013, kur kishte shkuar në Napoli nga Real Madridi, dhe vetëm tre vite më vonë kishte kaluar në Juventus. Megjithatë, këtë verë ai u huazua në Milan, të cilët kanë mundësi ta blejnë në fund të këtij sezoni.
Argjentinasi Bastituta është në vizitë në Itali për momentin për ta promovuar librin e tij të ri autobiografik “Numri 9”, dhe gjatë vizitës së tij aty, ai u pyet se cili nga bashkëkombësit e tij është sulmues më i mirë, Icardi apo Higuain.
“Për Argjentinën, kjo është një betejë mes Icardit dhe Higuainit. Mauro ka më shumë mundësi sepse ai është i ri. Më pëlqen shumë ai. Nuk e sheh shumë gjatë ndeshjes, por ai gjithmonë shënon. Tifozët e Interit duhet të jenë të lumtur që e kanë në skuadër”.