Ylli i Interit, Mauro Icardi, mund të largohet nga klubi zikaltër, pasi e humbi shiritin e kapitenit. Real Madridi, Chelsea, Juventusi dhe Napoli tashmë e kanë kontaktuar sulmuesin.
Sipas Sport Mediaset, këto katër klube e kanë pyetur Icardin se a është ai i lirë për t’u transferuar gjatë afatit kalimtar të verës. Drejtuesit e këtyre klubeve kanë kontaktuar me Wanda Naran.
Problemet rreth Icardit kanë shpërthyer gjatë ditëve të fundit, pasi që klubi zikaltër ia hoqi atij shiritin e kapitenit për shkak të komenteve të agjentes dhe bashkëshortes së tij, Naras, në televizion për negociatat e rinovimit të kontratës.
Që nga momenti kur u mor ky vendim për shiritin e kapitenit, 26-vjeçari nuk ka luajtur në ndeshjet e Interit, kundër Rapid Viennas dhe Sampdoria. Nëse Interi nuk pranon t’ia kthejë shiritin e kapitenit, atëherë kjo situatë mund të zgjasë edhe më tej.
Sulmuesit të Interit i ishte marrë shiriti i kapitenit të mërkurën e javës së kaluar, para ndeshjes së Evropa Ligës kundër Rapid Viennas. Rolin e kapitenit në skuadrën e zikaltërve tani do ta ketë Samir Handanovic.
Pas këtij vendimi të Interit, Icardi e hoqi veten nga lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e Evropa Ligës, duke sugjeruar në rrjetet sociale se ishte i lënduar, mirëpo Spalleti më vonë tha se ky kishte qenë vendimi i sulmuesit.
Edhe pse testet mjekësore konfirmuan se Mauro Icardi nuk vuan nga lëndimi i gjurit, sulmuesi argjentinas nuk është pjesë e skuadrës së Interit as për ndeshjen e nesërme të Evropa Ligës, kundër Rapid Vienna.
Për të ardhmen e Icardit është spekuluar tash e një kohë të gjithë pasi që bashkëshortja dhe agjentja e tij, Wanda Nara, nuk ka arritur marrëveshje me Interin për ta rinovuar kontratën.