​Messi synon tripletën

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Njëra ndër javët më të rëndësishme të sezonin të Barcelonës po vjen dhe katalonasit janë duke u përgatitur për dy ndeshje të njëpasnjëshme kundër Real Madridit, në Kupën e Mbretit dhe La Liga. Lionel Messi po shpreson se skuadra e tij do t’i kalojë këto dy teste, pasi që ai synon ta fitojë tripletën këtë sezon.

Argjentinasi i ka shënuar 33 gola këtë sezon dhe paraqitja në ndeshjen e fundit, kur shënoi het-trik dhe e asistoi golin e Luis Suarezit në fitoren 4:2 ndaj Sevillas, e dëshmoi se ai është kthyer në formën e tij më të mirë.

Para ndeshjes kundër Sevillas, Messi e kishte shënuar vetëm një gol në katër ndeshjet paraprake, një penallti kundër Real Valladolidit, mirëpo paraqitja e tij ia siguroi fitoren katalonasve në “Ramos Sanchez – Pizjuan”. Messi tani synon t’i shtojë tri medalje të arta në kabinetin e tij, duke i fituar titujt e Ligës së Kampionëve, La Ligës dhe Kupës së Mbretit.

“Nuk mund të luash gjithmonë në nivelin më të lartë dhe ne kaluam në një fazë ku, të jem i sinqertë, nuk ishim në formën tonë më të mirë. Kjo e bën më të vështirë të shënosh gola. Ishim prapë vetja sot dhe e bëmë një paraqitje të mrekullueshme”, tha Messi pas fitores kundër Sevillas.

Messi ishte i vetëdijshëm se për Barcelonën kishin filluar disa dyshime, pas paraqitjeve zhgënjyese në ndeshjet e fundit, por het-triku i tij i zhduki këto dyshime, para një jave shumë të rëndësishme. Edhe në mënyrën se si Messi i festoi golat, ishte e qartë se ai e kuptonte sa e rëndësishme ishte kjo fitore.











Fjalë Kryesore:

Të ngjashme