10 këshillat kryesore përpara se ta filloni universitetin

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 17:44 | Nga

Tani është ajo periudhë e vitit kur të rinjtë bëhen gati të hyjnë në dyert e universiteteve për herë të parë. BBC, siç transmeton MAPO, ka pyetur studentë të sapodiplomuar se cilat janë këshillat që ata do të jepnin për ata që e nisin arsimin e lartë për herë të parë.

Menaxhoni detyrat

Kaylie Knowles, 24, ka studiuar në ‘Nottingham Trent University’ dhe më pas në ‘Derby University’. Ajo thotë se vëmendja ndaj detyrave që do t’ju ngarkohen në universitet është shumë e rëndësishme. “Në fillim e nisa mirë në ‘Trent’, por viti i fundit në ‘Derby’ ka qenë shumë i ngarkuar dhe kam kaluar 4 ose 5 momente stresuese ku jam ndjerë e pafuqishme. Ajo që mund të them është së detyrat duhet të jenë prioriteti juaj dhe kini parasysh që të bëni edhe pushim kur e shikoni se keni nje ngarkesë shumë të madhe”.

Planifikoni një buxhet javor

Mary O’Connell, 23, ka studiuar letërsi në ‘York University’ dhe ka një master në ‘King’s College London’. Ajo rekomandon që të bëni një planifikim javor të buxhetit. “Mos i shpenzoni të gjitha paratë në javët e para të studimeve. Nëse nuk keni punuar më përpara, ka mundësi që t’ju duket se keni një shumë të madhe në dispozicion. Por kini parasysh se ky është një lloj borxhi me të cilin duhet të bëni kujdes. Planifikoni një buxhet javor. Përdorni dhe aplikacione për të parë se sa harxhoni dhe për çfarë. Kjo është zakonisht një pjesë që ne e nënvlerësojmë”.

Sian Reed, 25, ka studiuar marketing në ‘Hull University’ dhe më pas studimet master i ka kryer në ‘Sheffield Hallam’. “Këshilla ime e parë do të ishte të mësoni se si të menaxhoni buxhetin. Kuptoj që kjo mund të duket si diçka jo shumë serioze, por fakti që keni më shumë para se zakonisht në llogarinë tuaj nuk do të thotë se duhet t’i prishni të gjitha. Mjafton gjysëm ore në ditë për t’u ulur dhe për të parë gjendjen e llogarisë dhe shpenzimet që keni. Mund t’ju duhet të shtoni të ardhurat ose reduktoni shërbimet, por gjithmonë në funksion të të jetuarit më komfort. Kini parasysh që të kërkoni për ulje studentore”.

Krijoni kopje rezervë të punës suaj

Peter Rogers, 22, i diplomuar në ‘York University’ vitin e kaluar thotë se është një ide e mirë që të ruani punën tuaj në më shumë se një kopje. “Në universitet, të gjithëve na duhet të punojmë me një llogari Gmail, kështu që unë përdorja Google Drive për të ruajtur çdo gjë që kisha punuar. Madje dhe në faza të ndryshme të punës. Për shembull kur je duke shkruar një ese, ki parasysh që ta ruash kur të kesh arritur gjysmën, pothuajse fundin e kështu me radhë”.

Shfrytëzoje sa më shumë vitin e parë

Peter gjithashtu thotë se viti i parë zakonisht është më i lehtë nga ana akademike se vitet që do pasojnë kështu që përpiquni edhe ta shijoni. “Nëse viti i parë ju duket i përballueshëm përsa i përket ngarkesës, atëherë shfrytëzoni kohën e lirë që do të keni në dispozicion. Tani që kthej kokën pas, do të kisha dëshirë të kisha marrë pjesë në më shumë aktivitete, më shumë sport ose thjesht të kisha dalë më shumë me shoqërinë. Natyrisht që jeta akademike është shumë e rëndësishme, por ajo do të kërkojë edhe më shumë vëmendje gjatë vitit të dytë dhe të tretë”.

Mos kini frikë të jeni selektiv për shoqërinë

Emmeke Megannety, 21, studion në vitin e dytë për gazetari në ‘Nottingham Trent University’. Sipas saj, ia vlen të merrni pak kohë për të vendosur se me kë shoqëri do të shpenzoni kohën. “Duhet të keni parasysh që njerëzit që do të takoni javën e parë në universitet jo domosdoshmërisht do të jenë shokët tuaj për gjithë jetën. Mos mendoni të ngjiteni mbas njerëzve që takoni në fillim vetëm e vetëm sepse nuk njihni njeri tjetër. Merrni pjesë në aktivitete, grupe, zini një punë, bisedoni me dikë në palestër – do të bëni shumë miq brenda vitit edhe në vendet më të çuditshme”.

Tregohuni dashamirës me njerëzit

Fatkeqësisht shumë studentë vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi. Statistikat e fundit tregojnë se 146 studentë kanë kryer vetëvrasje në 2016. Peter thotë se është e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje njerëzve që do të kemi të afërt. “Vazhdoj të jem i habitur nga një numër i madh studentësh, të cilët në pamje të parë do të sillen shumë normal, por në fakt nga brenda janë duke vuajtur. Mendoj se çelësi është të folurit pa dorashka, sidomos me meshkujt. Pyetjes “Si je?” i shmangemi me një përgjigje të thjeshtë. Por kur dikush pyet konkretisht mbi një shqetësim mendor, tendenca është që të përgjigjesh në mënyrë më të sinqertë”.

Mbani një dietë të balancuar

Matt Broderick, 29, i diplomuar në ‘Queens University Belfast’, thotë se një dietë e vafër ndikon në gjendjen tuaj emocionale. “Mësoni të gatuani dhe shkoni në klasë. Unë kam bërë shumë pak nga të dyja. Shpenzoja paratë në ushqime të shpejta dhe të pa shëndetshme dhe nuk frekuentoja leksionet. Atëherë nuk e kuptoja, por tani e di që kam kaluar depresion sepse po jetoja në një shtëpi të ftohtë, haja ushqim të pashëndetshëm dhe të vetmet herë kur dilja nga shtëpia ishte për të pirë me shoqërinë. Do të doja të kisha një buton që të ktheja kohën mbrapa. Do shkoja në çdo leksion, do kaloja të gjitha leximet dhe do të haja ushqim të vërtetë”.

Mësoni të gatuani sipas buxhetit

Mary rekomandon që të mësoni të gatuani sipas buxhetit. “Mos i kushtoni shumë vëmendje firmave të produkteve vetëm duke u nisur nga fakti se ato i përdorni edhe në shtëpitë tuaja. Për shembull nëse do të gatuani një bolonjeze, atëhere blini një salcë bazike të domateve të grira. Nuk ka pse të rendni pas firmave sepse në fund të fundit domate janë. Gatuani në porcione dhe ruajini në të ngrira vaktet deri sa t’i konsumoni”.

Mbani kontaktet me shoqërinë e vjetër

Mary sugjeron se mbajtja e kontakteve me familjen dhe shoqërinë e vjetër është një mënyre e mirë për të kaluar vetminë, por edhe për t’u shprehur më lirshëm mbi problemet tuaja. Universiteti mund t’ju krijojë një ndjenjë vetmie. Kështu që mos i shkëpusni kontaktet me shoqërinë që keni lënë në qytetin tuaj. Tregohuni të hapur me ta dhe interesohuni nëse edhe ata kanë probleme.

Jini të ndershëm me veten tuaj

Për Sian kjo është këshilla më e vlefshme për ata që nisin universitetin. “Jeta studentore shpesh here i gjen studentët larg shtëpisë rrjedhimisht edhe larg prindërve. Nuk keni pse të tregoheni ekstrovert për të shijuar jetën. Mos u ndjeni të detyruar për të dalë netëve nëse nuk keni dëshirë. Universiteti duket se krijon një kulturë e të pirit tek studentët, por është totalisht në rregull nëse ju nuk e krijoni këtë gjë. Besomëni se nuk do të jeni personi i vetëm që nuk e preferoni pijen në klasën tuaj. Nga ana tjetër, nëse karakterizoheni nga një personalitet i madh dhe ekspresiv, shfrytëzojeni sa të mundeni jetën studentore sepse pas universitetit jeta nuk bëhet më e lirë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme