10 nxënës nga ShMT “Lutfi Musiqi” nënshkruajnë kontratat, do të kryejnë praktikën në një kompani vushtrriase

Prishtinë | 07 Shk 2024 | 17:52 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhjetë nxënës nga Shkolla e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi” në Vushtrri do të fillojnë mësimin dual së bashku me punën praktike në kompaninë e këtushme të mobilieve “Loni Dekor”, në kuadër të aftësimit profesional, raporton Ekonomia Online.

Nxënësit, të shoqëruar nga prindërit e tyre, të mërkurën kanë nënshkruar kontratat për fillimin e punës praktike në fabrikën e kompanisë, që ndodhet në Pantinë të Vushtrrisë.

Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, u shpreh i lumtur me arritjen e kësaj marrëveshjeje. Ai theksoi se i mirëpret gjithmonë iniciativat që ndikojnë në zhvillimin profesional të të rinjve vushtrias.

Idrizi tha se kompania do t’ua paguajë nxënësve shpenzimet, ndërsa komuna do t’ua sigurojë transportin.

“Jam i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Nxënësit e shkollës profesionale do të kenë mundësinë e zhvillimit dual, që i bie një pjesë e atyre që e mësojnë do ta kenë mundësi ta kthejnë në praktikë. Kompania ka shprehur vullnetin që nxënësve t’ua heqë të gjitha shpenzimet eventuale, e madje edhe një pjesë të pagës. Ne si komunë na mbetet që t’ua mbulojmë transportin”, tha ai.

Idrizi deklaroi nxënësit e klasave të dhjeta do ti kenë nga dy ditë praktikë, ata të e njëmbëdhjetave nga tri ditë, dhe nxënësit e klasave të dymbëdhjeta nga katër ditë praktikë me qëllimin që ata në fund të afatit shkollor të dalin sa më të profesionalizuar për tregun e punës.

Bleron Musa, nxënës i klasës së dhjetë, tha se është i lumtur që i është dhënë kjo mundësi.

“Dua t’i falënderoj kryetarin e komunës sonë, drejtorin dhe kompaninë për mundësinë që na e kanë ofruar”, ka thënë ai.

Entuziast u shpreh edhe Halil Musa, babai i njërit prej nxënësve përfitues.

“Jam i lumtur për mundësinë që Komuna e kompania “Loni Dekor” na e kanë ofruar për fëmijët tanë”, theksoi ai.

E drejtori i shkollës së mesme teknike “Lutfi Musiqi”, Ibrahim Lahu, deklaroi se bazuar në përkrahjen e deritashme nga komuna dhe bizneset, inciativat e tilla do vazhdojnë edhe në drejtimet tjera.

“Kjo është hera e parë që mësimi dual po aplikohet në komunën e Vushtrrisë,  mirëpo bazuar në   përkrahjen e deritashme,  nga viti i ardhshëm mendohet të kalohet në fushën e automekanikut dhe në profile tjera”.

Blerim Sylejmani, drejtor i kompanisë “Loni Dekor”, falënderoi Komunën e Vushtrrisë dhe kryetarin Ferit Idrizi për bashkëpunimin.

Ai u shpreh se tash e tutje iu mbetet nxënësve të japin 10% nga vetja e tyre, derisa 90% të angazhimit, sipas tij, do ta japë kompania. Puna praktike do t’iu shërbejë këtyre nxënësve si përvojë profesionale në të ardhmen.

Të ngjashme