I nxehti ekstrem i parakohshëm ka shkaktuar 101 viktima vetëm gjatë muajit maj në Spanjë. Për autoritetet spanjolle, kjo është një shifër rekord dhe një kambanë alarmi për ngrohjen globale.
Valët e të nxehtit që dikur ishin karakteristike për korrikun apo gushtin, këtë vit kanë mbërritur disa javë më herët në Europë, duke shfaqur shenja alarmante për shëndetin publik. Në Spanjë, autoritetet regjistruan 101 vdekje të lidhura me vapën vetëm gjatë muajit maj, niveli më i lartë që nga viti 2015, kur nisi monitorimi i vazhdueshëm i temperaturave mesatare.
“Problemi është se vapa po mbërrin më herët. Kur mbërrin herët, trupat tanë nuk janë ende të përshtatur dhe kjo ndodh kur ende nuk e kuptojmë se rreziku ekziston”, tha ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia.
Gjatë javës së fundit të majit, temperaturat në Spanjë ishin 10 deri në 15 gradë më të larta se mesatarja e stinës. Fenomeni nuk është i izoluar vetëm në gadishullin iberik. Viktima nga kjo valë e pazakontë dhe e parakohshme, ndonëse jo të përmasave të Spanjës, pati edhe në vende të tjera të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se fenomenet ekstreme, e sidomos vapa, po bëhen çdo vit e më të theksuara, teksa njerëzit mbeten të papërgatitur.