12% buxhet më shumë për arsim në 2019, kërkohet rol më i madh i prindërve në arsimimin e fëmijëve

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 12:53 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zhvillimi i Kapaciteteve në Sektorin e Arsimit Fillor (CDBE), program i organizatës GIZ, ka organizuar një program me fjalime, panel diskutimi si dhe pika muzikore, në kuadër të “Fushatës për Arsim më të Mirë”, me qëllim për të lobuar më tutje për arsim më cilësor, me fokus në përfshirjen dhe kontributin e prindërve në arsimimin e fëmijëve të tyre.

“Qeveria, e cila jep më shumë buxhet për arsim, do të thotë që e ka me rëndësi atë”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë ngjarje me moton “Roli i Prindërve në Arsimimin e Fëmijëve”.

Kryeministri Haradinaj tha se para disa muajsh, nga një grup fëmijësh pati marr një peticion, ku kërkohej që arsimi të vendoset si prioritet.

Sipas kryeministrit arsyeja që i ka bërë sot bashkë, është roli i prindërve në arsimimin e fëmijëve dhe fushata për “Arsim më të mirë në Kosovë”.

“Edhe unë jam prind, por sot jam në një detyrë tjetër, në atë se çka ka bërë Qeveria që peticionin që e kam marr ta res­­pektoj”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ka shumë lajme të mira për t’iu thënë.

I pari, sipas kryeministrit Haradinaj, është lajmi se për një arsim të mirë, duhet respektuar profesorët, pedagogët, edukatorët, prandaj, me Ligjin për Paga, ata respektohen shumë, por prapë jo sa duhet, duke ditur se ata meritojnë shumë.

Kryeministri Haradinaj më tutje tha se arsimi është vendosur si një nga prioritetet kryesore të jetës dhe si vërtetohet edhe nga fakti, sepse buxheti i vitit që vjen, parasheh shumën prej 300 milionë euro dedikuar arsimit, pra 12 për qind më shumë se sivjet.

Kryeministri Haradinaj tha ka mbetur shumë punë për t’u bërë, si programet, kurrikulat, menaxhimi i shkollave dhe mospolitizimi i shkollave.

Kreu i Qeverisë falënderoi të gjithë ata që po kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në Arsim, veçanërisht nxënësit që kanë bërë peticionin, organizatën GIZ, si dhe Bashkimin Evropian dhe UNICEF-in, duke iu uruar për sukses në të ardhmen.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se është bërë një punë shumë e mirë gjatë kësaj fushate për arsimim më të mirë dhe se duhet bërë gjithçka për fëmijët e Kosovës, si pasuria kryesore e saj.

Ministri Bytyqi shtoi se së bashku me partnerin GIZ dhe shumë partnerë tjerë ndërkombëtarë të cilët nuk janë ndalur së reshturi përveç t’i kryejnë obligimet ditore dhe është diskutuar që të eliminohet çdo mangësi që ekziston në sistemin arsimor në Kosovë për të trasuar një sistem me standarde të larta.

Kreu i MAShT-së theksoi se është e rëndësishme që arsimi në Kosovë është prioritet i të gjithëve. “Nuk jemi ndalur të kryejmë punë ditore, si ministri vazhdimisht kemi diskutuar për të eliminuar çdo dobësi që ka sistemi në Kosovë të kemi standarde të larta. Rritja e buxhetit tregon se kemi prioritet të madh për arsimin në Kosovë”, tha ai.

Bytyqi bëri thirrje që edhe prindërit të bashkëpunojnë me ministrinë dhe drejtorët e shkollave për menaxhimin sa më të mirë, me qëllim rritjen e cilësisë në arsim.

“Ta menaxhojmë shkollën bashkë, jo vetëm ministria, drejtori, por të jetë prindi në rol kryesor sepse ata duan më të mirën për ju. Prindërit duhet të jenë këshilltarët e vazhdueshëm për metodat e reja që duam t’i aplikojmë në shkolla, sepse fëmijët tanë janë fëmijë perëndimor dhe duhet të jenë të edukuar në frymën perëndimore”, tha Bytyqi.

Boris Scharlowski, përfaqësues i GIZ – Udhëheqës i projektit Ngritja e Kapaciteteve në Arsimin Fillor, tha se sot po festohet përvjetori i fushatës për “Arsim më të mirë në Kosovë”, për ngritjen e arsimit si prioritet kryesor, ngase kjo ka të bëjë me perspektivën dhe të ardhmen e fëmijëve.

Ai tha se peticioni për një arsimim më të mirë dhe arsimi si prioritet është nënshkruar nga 125 mijë njerëz, përfshirë kryeministrin, qytetarë, prindër, nxënës etj.

“Një vit më parë, në të njëjtin vend, filloi fushata dhe atëherë kemi filluar fushatën bashkë me 11 partnerë dhe me Ministrinë e Arsimit. Ne dëshironim të ngrisim arsimin në krye të prioriteteve, sepse kjo ka të bëjë me të ardhmen tuaj dhe perspektivën tuaj në të ardhmen. Që nga atëherë ne kemi filluar me një peticion dhe për një vit më shumë se 125 mijë njerëz kanë nënshkruar peticionin dhe kryeministri ishte i pari që shkroi zotimin atëherë”, tha Scharlowski.

Qëllimi i fushatës është që të arrihen ndryshime konkrete në sjelljen e mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe të gjitha palëve të tjera të rëndësishme të interesit dhe që të gjithë të veprojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e arsimit duke e bërë arsimin prioritetin numër një në Kosovë.

Teuta Haxhiu, e pranishme në fushatë, tregoi përvojën e saj si prind dhe si mësimdhënëse në të njëjtën kohë. Ajo tha se fëmijët e saj për gjatë gjithë jetës janë të vegjël dhe ashtu do t’i konsiderojë.

Ymret Rashiti, kryetar i Këshillit të Prindërve, tha se ky këshill vazhdimisht kontakton me prindër. “Këshilli i Prindërve çdo ditë kontakton me prindër, që ata të interesohen më tepër për problemet që kemi, dhe për t’i eliminuar ato”.

“Bashkëpunimi që duhet të kemi me institucione shtetërore, drejtorët duhet të dinë të kenë qasje të butë dhe prindërit t’i bëjnë të shkojnë në shkollë për t’u interesuar me nxënës se si po u shkojnë mësimet e tyre”, tha Rushiti.

“Ne jemi në vazhdimësi të kërkimit të mënyrave që nxënësit të kenë kushte në shkolla, kabinete, jo kilogramë të librave, por dije më të madhe”.

Kozeta Nimani, nga Zyra e UNICEF-it, tha se qëllimi kryesor i tyre është të japin kontribut në rritjen e cilësisë së arsimit dhe të fushave të tjera të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve.

“UNICEF është për një kohë të gjatë në Kosovë, qëllimin kryesor e ka kontributin në rritjen e cilësisë së arsimit dhe fushave të tjera që janë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve”, tha Nimani.

“Përmes programeve, UNICEF ofron dhe promovon cilësinë, merren me përgatitjen e prindërve sepse është momenti më i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijës”, theksoi ajo.

Aktorja Edona Reshitaj tha se prindërit vazhdimisht na kanë edukuar që arsimi është gjëja më e rëndësishme në jetë.

Të ngjashme