Dështoi edhe vazhdimi i sotëm i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ishte përpjekja e 15-të me radhë për konstituim të këtij institucioni ligjvënës, raporton Ekonomia Online.
Vazhdimi i sotëm filloi me një minutë heshtje në nderim të Tahir dhe Nebih Mehës, në 44-vjetorin e rënies së tyre.
Vazhdimi i sotëm ishte i njëjtë me vazhdimet e mëparshme: përsëri tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti refuzuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Ishin 56 vota për, një kundër dhe një abstenim.
Dehari bëri të ditur se seanca ndërprehet dhe se do të vazhdojë më 15 maj, në orën 10.00.
Presidenca e Kosovës ua ka dërguar ftesat partive politike për takim në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Kurti s’u përgjigjet gazetarëve, Kusari: Besoj se Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes
Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk iu përgjigj gazetarëve as pas vazhdimit të 15-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Po pas kësaj seance, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila konfirmoi se Kurti ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takimin e partive politike në përpjekje për kapërcimin e bllokadës së krijuar në Kuvend.
“Kryetari Kurti ka marrë ftesën dhe besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Rikujtojmë që takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, për arsye se nuk mundet që zyra e presidentes të përdoret për marrëveshje politike, por do të diskutohet ky proces që po dështon për shkak të mungesës së pjesëmarrjes në votim dhe për hapat e mëtejshëm,” u shpreh ajo.
Krasniqi: Mirëpresim ftesën e Presidentes, Vetëvendosje po mban peng institucionet
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ai, këmbënguljen në një skemë kundërligjore dhe për bllokimin e institucioneve, duke theksuar se kandidati i tyre nuk ka shumicën parlamentare, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi mirëpriti ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim të partive politike për zgjidhje për situatën aktuale politike.
“Fatkeqësisht, edhe sot për të 15-tën herë me radhë pamë të njëjtin skenar – këmbënguljen për të mbajtur këtë bllokadë dhe insistimin në një skemë kundërligjore e antikushtetuese për votimin e fshehtë. Kjo është bërë një qasje e tepërt. Të gjitha institucionet kanë mbetur peng nga Lëvizja Vetëvendosje, përkundër insistimit tonë për të ndryshuar kandidaturën. Ky insistim është i pakuptimtë. Ai nuk i ka numrat për shumicën parlamentare. Më vjen mirë që presidentja Osmani ka pranuar propozimin tonë si PDK për të thirrur një takim me partitë politike. Shpresoj që kjo të rezultojë me një rrugëdalje. Ne nuk do të ndryshojmë asgjë. Do t’i shprehim qëndrimet tona dhe do të kërkojmë që partia e parë të reflektojë”, tha Krasniqi.
Bajrami: Nëse VV është kundër propozimit të LDK-së, i ka edhe 13 parti të tjera që nuk iu ka bërë ofertë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se nëse Lëvizja Vetëvendosje është kundër propozimit të LDK-së, atëherë duhet të marrë hapa konkretë, raporton Ekonomia Online.
“Shpresojmë që partitë politike të jenë të pranishme në takimin e thirrur nga presidentja. Nëse janë kundër propozimit tonë, besoj që janë ata që duhet të lëvizin. Vetëvendosje i ka edhe 13 parti që nuk u ka bërë ofertë si LDK-së”, tha Bajrami.
Ajo vlerësoi se vendi po përballet me një krizë politike pa zgjidhje të dukshme.
“Pa dashur jemi bërë aktorë të serialit më të padëshirueshëm në vend. Nuk kemi propozim tjetër, sepse siç duket, situata politike në vend nuk ka alternativë tjetër për të dalë nga kjo krizë. As VV nuk i ka votat dhe ne kemi pranuar me sinqeritet që partitë deri dje opozitare nuk i kanë numrat. Për këtë arsye, kemi vendosur propozimin tonë. Unë besoj se ata që do të kishin pasur interes për ta zhbllokuar situatën, do ta kishin bërë më herët. Atyre u mungon vullneti”, tha Bajrami.
Haradinaj: Do ta dëgjojmë presidenten, presim edhe vendimin e Kushtetueses
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në takimin me presidenten do të presin qëndrimet e saj dhe nëse kanë ndonjë sugjerim si AAK do ta japin, raporton Ekonomia Online.
“Do ta dëgjojmë presidenten fillimisht për të parë se çfarë qëndrimesh ka dhe çfarë sugjeron. Në të njëjtën kohë, nëse kemi ndonjë sugjerim, do ta paraqesim. Ne jemi në pritje edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilën e kemi dorëzuar dje. Kam marrë informacion nga zyra se kemi marrë ftesë dhe unë e kam konfirmuar pjesëmarrjen”, tha Haradinaj.
Limaj: Ende s’jemi ftuar nga presidentja, çdo ftese në funksion të zgjidhjes i përgjigjemi pozitivisht
Kryetari i Nismës Socialdemokrate , Fatmir Limaj, tha se ende nuk ka marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani për takimin me partitë politike për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e bllokadës në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Mirë që po ndodhin këto lëvizje. Ne ende nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga presidentja. Siç e dini, unë jam i pari bile si me than jam linçuar kur kam thënë se për tema nacionale duhet të ulet që të bisedohet dhe ju gjithmonë do ta keni një përgjigje time pozitive, sepse kjo është rruga. Nuk ka rrugë tjetër. Ne gjitha ftesat, të cilat janë në funksion të bashkëbisedimit, të shqetësimit dhe brengosje për të gjetur zgjidhje ftesave të tilla ne ju përgjigjemi pozitivisht, pavarësisht nga kush vjen ftesa. Kemi disa propozime, por së pari do të shohim nëse e kemi ftesën. Do të dëgjojmë se cili është qëllimi i ftesës së presidentes dhe aty pastaj do t’i shfaqim qëndrimet tona”, tha Limaj.