1500 kallëzime penale të trafikimit me substanca narkotike janë pranuar nga Prokurori i Shtetit.
Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u shqyrtua raporti vjetor për vitin 2018 të mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional për Veprat Penale Karakteristike, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin të Performancës të Prokurorisë, Valon Jupa, ka treguar për rastet të cilat janë trajtuar gjatë vitit 2018.
“Sa i përket rasteve prokurori i shtetit ka pasur 1917 raste. Sa i përket drogave prokurori i shtetit ka pranuar mbi 1500 raste, kontrabandimi me emigrant ka pranuar 17 raste, krim të organizuar ka pranuar 1 rast me 17 persona. Korrupsion ka pranuar 525 raste. Me shpëlarje parash ka pranuar 3 raste, trafikim me njerëz ka pranuar 64 raste, 398 raste nga krimet ekonomike. Për 2489 persona janë ngritur aktakuza në tërësi”, u shpreh Jupa.
Trafikimi me substanca narkotike, sipas kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi, ka shënuar rritje. Prokuroria e Shtetit, sipas Lumezit, ka fituar 82 për qind të rasteve në gjykata.
“Kemi pasur rritje të rasteve që kanë të bëjnë me trafikimin e substancave narkotike. Kemi pranuar mbi 1500 kallëzime penale. Sa i përket rasteve të krimit të organizuar kemi pranuar vetëm dy raste. Kemi pasur kritika qe jemi duke i humbur rastet në gjykata, kur i shohim lendet kemi 82% të rasteve të cilat i kemi fituar me aktgjykim dënues. Kjo tregon për punën profesionale për punën e prokurorëve. Nga 82% të rasteve që i kemi fituar, në mbi 100 raste kemi fituar rastet me mjete të rregullta juridike”, u shpreh Lumezi.
Ndërsa, kryetari i KPK-së, Bahri Hyseni, ka bërë të ditur se Prokuroria ka zgjidhur 7.18 për qind të lëndëve më shumë se vitin e kaluar.
“Gjatë analizimit për vitin 2018 me një analizë konkrete del që 7.18% është tejkaluar numri i lendeve të zgjedhura prej herës kaluar. 8.56% është zvogëluar ngarkesa me lëndë”, tha Hyseni.
Në këtë mbledhje të KPK-së është shtyrë për atë të radhës, shpallja e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky vendim ka ardhur me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Kryetari i komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, ka kërkuar që rregullorja për emërtimin e kryeprokurorëve të ndryshohet dhe plotësohet
“Tek kriteret e veçanta për emërimin e kryeprokurorëve duhet të ndryshohet sepse thuhet se kryeprokurori duhet jetë prokuror në prokurori speciale në fakt duhet të jetë prokuror me mandat të përhershëm”, u shpreh Gashi.