170 milionë euro të pamjaftueshme për shëndetësinë

Prishtine | 20 Qer 2016 | 13:48 | Nga

Buxheti i ndarë për sektorin e shëndetësisë në Kosovë për vitin 2016, nga ekspertë shëndetësorë, nga qytetarë dhe përfaqësues të sindikatës, po konsiderohet të jetë i pamjaftueshëm për ta përmirësuar gjendjen në këtë fushë.

Nga 1 miliard e 680 milionë euro të Buxhetit të Kosovës për vitin 2016, për sektorin e shëndetësisë është ndarë 11 për qind e këtij buxheti, apo rreth 170 milionë euro.

Kardiologu Gani Bajraktari, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky buxhet është mjaft i varfër dhe se, siç shprehet ai, është skeptik se gjendja do të përmirësohet në sektorin shëndetësor.

“Është një buxhet i varfër për dy milionë banorë dhe jo shumë shpresëdhënës për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë në të ardhmen”, thotë Bajraktari.

Edhe qytetarët shprehin mendimin e tyre lidhur me atë se sa do të mund të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore me buxhetin e ndarë për vitin 2016.

Valbona Morina, studente thotë: “Nëse shtrihesh në spital, me mjetet e tua duhet t’i blesh barnat, në të shumtën e kohës. Të paktën këtë përvojë e kam unë. Kështu që nuk besoj që vitin e ardhshëm do të ketë ndonjë përmirësim”.

Por, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, deklaron se me buxhetin e ndarë, me një shpenzim më racional do të mund të përmirësohet situata në sektorin e shëndetësisë.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thotë se menaxhimi i mirë ndoshta do të mundësojë që të mos lejohet që situata të bëhet edhe më e keqe.

“Por përmirësimet në këtë fushë me këtë buxhet janë larg realitetit”, konsideron Syla.

Buxheti i Kosovës i parashikuar për vitin 2016, nuk siguron përmirësim as në sferën ekonomike dhe sociale, por sipas ekspertëve konsiderohet si buxhet stabil.

Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, tashmë është shqyrtuar dhe miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe ka vlerë prej 100 milionë euro më shumë se buxheti i vitit 2015.

Të ngjashme