Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO57/12 nuk duhet të interpretohet si pengesë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kthimit të tij për rishqyrtim nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Në një opinion të publikuar në rrjetet sociale, Bajraktari ka trajtuar kompetencat e Kuvendit pas kthimit të ligjit nga presidentja, duke theksuar se çështja kryesore është nëse ndryshimet mund të bëhen në kuadër të procedurës së rishqyrtimit apo nëse duhet të ndiqet procedura e zakonshme legjislative.
“Rasti KO57/12, mund të shërbejë si pikë referimi për interpretimin kushtetues, por zbatimi i tij nuk mund të bëhet me automatizëm, pa u analizuar natyra e procedurës dhe dispozitat përkatëse”, ka shkruar Bajraktari.
Sipas tij, Kushtetuta ia njeh presidentes të drejtën për ta kthyer një ligj për rishqyrtim, kur vlerëson se ai është i dëmshëm për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një apo më shumë komuniteteve, ndërsa Kuvendi obligohet që vendimmarrjen ta mbështesë në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit.
“Prandaj, kthimi i ligjit nuk është as veto përfundimtare e Presidentes dhe as autorizim për Kuvendin që të veprojë jashtë procedurave përkatëse”, ka theksuar ai.
Duke iu referuar vendimit të presidentes për kthimin e Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Bajraktari ka ngritur dilema lidhur me konkretësinë e arsyetimit të paraqitur për kthimin e tij.
Sipas tij, presidentja ka përmendur çështje që lidhen me bashkërendimin e veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike, mbrojtjen e së vërtetës historike për Luftën Çlirimtare të Kosovës, interesat e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, si dhe juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se arsyet e paraqitura duhet të lidhen konkretisht me dispozitat e ligjit që konsiderohen problematike.
“Ndonëse mungesa e një arsyetimi të hollësishëm në vendimin e Presidentes nuk mjafton, në vetvete, për të përfunduar se vendimi është jokushtetues, megjithatë ngriten dilema dhe shqetësime lidhur me çështjen e konkretësisë së arsyetimit në drejtim të përmbushjes së kërkesës kushtetuese për paraqitjen e arsyeve të kthimit të Ligjit”, ka shkruar Bajraktari.
Ai ka theksuar se arsyet e kthimit duhet të shërbejnë si pikënisje për një rishqyrtim përmbajtjesor të ligjit, e jo të mbeten deklarime të përgjithshme.
Sa i përket mundësisë së ndryshimit të ligjit pas kthimit nga presidentja, avokati ka thënë se duhet të bëhet dallimi ndërmjet lejueshmërisë së ndryshimeve në përmbajtje dhe procedurës përmes së cilës ato mund të miratohen.
“Fakti që një ndryshim mund të jetë i arsyeshëm nga pikëpamja përmbajtjesore nuk e zgjidh automatikisht çështjen e procedurës përmes së cilës ai mund të miratohet”, ka theksuar ai.
Bajraktari ka vlerësuar se Kuvendi duhet të analizojë përmbajtjen e amendamenteve eventuale, bazën kushtetuese për shqyrtimin e tyre, si dhe shumicën e nevojshme për vendimmarrje.
Ai ka propozuar që Komisioni për Legjislacion t’i shqyrtojë arsyet e paraqitura nga presidentja, t’i identifikojë dispozitat përkatëse dhe të vlerësojë nëse nevojiten ndryshime konkrete.
Nëse propozohen ndryshime, sipas tij, duhet të përcaktohet nëse ato mund të miratohen në kuadër të procedurës së rishqyrtimit apo nëse kërkohet një nismë e re legjislative.
“Pra, Rasti KO57/12, nuk duhet përdorur as për ta përjashtuar paraprakisht mundësinë e ndryshimit të ligjit, as për ta legjitimuar çdo ndryshim pa një analizë të veçantë kushtetuese”, ka shkruar Bajraktari.
Në përfundim, ai ka theksuar se Kuvendi duhet të qartësojë mënyrën e votimit dhe shumicën e kërkuar, duke respektuar kompetencat e presidentes dhe përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit për vendimmarrje.