Trafikimi me qenie njerëzore vazhdon të mbetet një sfidë për institucionet e Kosovës, ndërsa shkalla reale e këtij fenomeni mund të jetë më e madhe sesa tregojnë rastet e identifikuara.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2026 e mban Kosovën në Nivelin 2, duke evidentuar përparime, por edhe mangësi në identifikimin e viktimave, ndjekjen penale të trafikantëve dhe mbrojtjen e personave të shfrytëzuar.
Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se numri i viktimave të identifikuara nuk pasqyron domosdoshmërisht përmasat reale të trafikimit, pasi shumë raste mund të mbeten të pazbuluara për shkak të frikës nga trafikantët, kërcënimeve dhe mungesës së besimit te institucionet.
Ata thonë se luftimi i kësaj dukurie kërkon hetime më proaktive, bashkëpunim të koordinuar ndërinstitucional, goditje të rrjeteve kriminale dhe mbrojtje më të qëndrueshme për viktimat.
Hoxha: Raporti i DASH-it nuk pasqyron shkallën reale të trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë
Ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Valdet Hoxha, ka vlerësuar se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026 pasqyron sfidat dhe arritjet institucionale në këtë fushë, por nuk paraqet shkallën reale të fenomenit në terren.
‘’Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Trafikimin me Qenie Njerëzore ofron një analizë të sfidave dhe arritjeve institucionalë në Kosovë në këtë fushë dhe reflekton efektivitetin e mekanizmave të zbulimit dhe identifikimit, por fatkeq fatkeqësisht nuk përfaqëson shkallën reale të fenomenit në terren. Vlerësohet se numri i rasteve reale është dukshëm më i lartë’’, deklaron Hoxha.
Sipas Hoxhës, numri real i rasteve të trafikimit mund të jetë dukshëm më i lartë, pasi viktimat shpesh hezitojnë ose frikësohen t’i paraqesin rastet te organet kompetente, për shkak të stigmës shoqërore, frikës nga hakmarrja e rrjeteve kriminale dhe mungesës së besimit se do të marrin mbrojtje të përshtatshme ligjore.
‘’ Kjo përshkak se viktimat shpesh hezitojnë apo frikohen ta paraqesin rastin para organeve kompetente dhe kjo për shkak të stigmës shoqërore, frikës nga hakmarrja e rrjeteve kriminale dhe mungesës së besimit të plotë se shteti do t’u ofrojë mbrojtje ligjore adekuate’’, tha Hoxha.
Ai ka thënë se mbetja e Kosovës në Nivelin 2 lidhet me disa mangësi sistemike, përfshirë dënimet relativisht të buta, hetimet dhe kualifikimin jo të duhur të veprave penale, mungesën e hetimeve proaktive për identifikimin e viktimave nga grupet më të cenueshme, si dhe mbrojtjen dhe financimin jo të mjaftueshëm për strehimoret.
‘’ Mbetja e Kosovës në Nivelin 2 vjen si pasojë e disa dështimeve sistemike, si sanksione relativisht të buta, hetim jo i duhur e kualifikim jo adekuat i veprave, mungesa e hetimeve proaktive për të identifikuar viktimat midis grupeve më të cenueshme, si fëmijët që kërkojnë lëmoshë, punëtorët me leje qëndrim të përkohshëm në Kosovë. Mbrojtje jo adekuate dhe financim jo i mjaftueshëm për strehimore etj’’, tha Ish-kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Për të rritur efektivitetin e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, Hoxha ka vlerësuar se nevojiten masa konkrete institucionale, duke përfshirë unifikimin e politikës ndëshkimore, trajnime të specializuara për prokurorët dhe hetuesit, forcimin e kapaciteteve policore dhe hartimin e një strategjie kombëtare me plan të qartë veprimi, kompetenca dhe afate kohore.
‘’Për të rritur efektivitetin e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, Hoxha ka vlerësuar se nevojiten masa konkrete institucionale, duke përfshirë unifikimin e politikës ndëshkimore, trajnime të specializuara për prokurorët dhe hetuesit, forcimin e kapaciteteve policore dhe hartimin e një strategjie kombëtare me plan të qartë veprimi, kompetenca dhe afate kohore’’ , thotë Hoxha.
Sipas Hoxhës , për avancimin e Kosovës në Nivelin 1 nuk mjafton vetëm ekzistimi i kornizës ligjore, por kërkohet zbatim i plotë i standardeve minimale dhe rezultate të matshme në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
‘’Pra, për të avancuar në nivelin 1, Kosova dhe çdo vend tjetër, nuk ka nevojë dhe nuk mjafton vetëm korniza ligjore formale, por duhet ndërmarr masa pro aktive dhe aktive drejt përmbushjes të plotë të standardeve minimale përmes rezultateve të matshme të cilat parashikohen në strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit kundër trafikimit me qenie njerëzore’’, përfundon Hoxha.
Eksperti i sigurisë: 13 viktimat e identifikuara nuk e tregojnë shkallën reale të trafikimit në Kosovë, Kosova duhet t’i godasë rrjetet kriminale
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka vlerësuar se numri prej 13 viktimash të identifikuara në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me qenie njerëzore në Kosovë nuk pasqyron domosdoshmërisht përmasat reale të këtij fenomeni.
Sipas tij, kjo shifër përfshin rastet që institucionet kanë arritur t’i identifikojnë, por nuk tregon se sa viktima të tjera mund të vazhdojnë të jenë të shfrytëzuara pa u zbuluar nga organet kompetente.
‘’ Jo domosdoshmërisht, numri prej 13 viktimash të identifikuara nuk mund të interpretohet si pasqyrë e plotë e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë. Ai pasqyron rastet që kanë arritur të identifikohen nga institucionet, por nuk na tregon automatikisht sa viktima të tjera mund të jenë ende të fshehura’’, tha Elezi për FrontOnline.
Sipas Elezit , viktimat shpesh hezitojnë t’i raportojnë rastet për shkak të frikës nga trafikantët, kërcënimeve, stigmatizimit shoqëror dhe mungesës së besimit ndaj institucioneve. Kjo rrit mundësinë që raste të shumta të mbeten të pazbuluara, veçanërisht në rastet e shfrytëzimit seksual, shfrytëzimit të fëmijëve, lypjes së detyruar dhe shfrytëzimit përmes premtimeve të rreme për punësim.
‘’ Shpesh, viktimat nuk e raportojnë rastin nga frika e trafikantëve, kërcënimeve, stigmatizimit shoqëror ose mosbesimit ndaj institucioneve. Për këtë arsye, ekziston mundësia reale që një pjesë e viktimave të mbetet e paidentifikuar, veçanërisht në rastet e shfrytëzimit seksual, shfrytëzimit të fëmijëve, lypjes së detyruar dhe shfrytëzimit përmes premtimeve të rreme për punësim’’, tha eksperti I sigurisë.
Sipas Elezit, problemi nuk qëndron vetëm te numri i viktimave të identifikuara, por edhe te rastet që nuk zbulohen, trafikantët që nuk identifikohen dhe rrjetet kriminale që vazhdojnë të veprojnë pa u goditur.
Për këtë arsye, ai ka vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të kalojnë nga një qasje kryesisht reaguese në një qasje proaktive, të bazuar në inteligjencën kriminale, analizën e rrezikut, identifikimin e hershëm të viktimave dhe hetimin financiar të rrjeteve të dyshuara.
‘’ Problemi nuk është vetëm sa viktima arrijmë të numërojmë, por sa viktima nuk arrijmë t’i zbulojmë, sa trafikantë nuk arrijmë t’i identifikojmë dhe sa rrjete kriminale vazhdojnë të veprojnë pa u goditur.Institucionet duhet të kalojnë nga një qasje kryesisht reaguese në një qasje proaktive, të bazuar në inteligjencën kriminale, analizën e rrezikut, identifikimin e hershëm të viktimave dhe hetimin financiar të rrjeteve të dyshuara’’, deklaron Elezi
Sipas ekspertit të sigurisë, luftimi i trafikimit me qenie njerëzore kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave, Inspektoratit të Punës, shërbimeve sociale, institucioneve shëndetësore dhe organizatave që ofrojnë mbështetje për viktimat.
Ai ka vlerësuar se identifikimi i hershëm i viktimave duhet të jetë ndër prioritetet kryesore, ndërsa kontrollet institucionale duhet të përqendrohen edhe në mjediset dhe sektorët ku ekziston rrezik më i lartë i shfrytëzimit.
‘’Kosova ka nevojë për një reagim institucional shumë më të koordinuar, profesional dhe të matshëm. Luftimi i trafikimit nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e Policisë së Kosovës apo e një njësie të specializuar. Kërkohet bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave, inspektoratit të punës, shërbimeve sociale, institucioneve shëndetësore dhe organizatave që ofrojnë mbështetje për viktimat.Së pari, duhet të forcohet identifikimi proaktiv i viktimave. Inspektimet dhe kontrollet duhet të orientohen drejt mjediseve dhe sektorëve me rrezik të shtuar, duke respektuar ligjin dhe të drejtat e njeriut’’, tha ai.
Përveç ndëshkimit të trafikantëve, Elezi ka vënë në pah nevojën për mbrojtje të qëndrueshme të viktimave. Sipas tij, kjo duhet të përfshijë strehim të sigurt, mbështetje psikologjike, ndihmë juridike, mbrojtje të identitetit, kompensim kur plotësohen kushtet ligjore dhe mundësi për riintegrim në shoqëri.
Ai ka vlerësuar se mbrojtja nuk duhet të përfundojë pasi viktima jep dëshmi në polici apo në gjykatë, por duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të procedurave, në mënyrë që ajo të mos mbetet e pambrojtur ose e ekspozuar ndaj shfrytëzimit të mëtejshëm.
‘’Mbrojtja e viktimave duhet të jetë reale dhe afatgjatë. Viktimat kanë nevojë për strehim të sigurt, mbështetje psikologjike, ndihmë juridike, mbrojtje të identitetit, kompensim kur plotësohen kushtet ligjore dhe mundësi për riintegrim ekonomik e shoqëror. Mbrojtja nuk duhet të përfundojë me dëshminë e viktimës në polici apo në gjykatë’’, deklaron Elezi.
Duke komentuar mbetjen e Kosovës në Nivelin 2 të raportit të DASH-it, Elezi ka theksuar se ky vlerësim nuk nënkupton mungesë të plotë të përparimit, pasi janë evidentuar edhe hapa pozitivë në financimin e shërbimeve për viktimat dhe përpjekjet për hetimin e trafikantëve.
Megjithatë, sipas tij, kalimi në Nivelin 1 kërkon më shumë sesa strategji të miratuara, deklarata politike apo fushata vetëdijesuese. Kosova duhet të dëshmojë rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve minimale për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
‘’ Qëndrimi në Nivelin 2 nuk do të thotë se Kosova nuk ka bërë asnjë përparim. Raportet e DASH-it kanë njohur edhe masa pozitive, përfshirë financimin e shërbimeve për viktimat dhe përpjekjet për hetimin e trafikantëve. Megjithatë, Nivelin 1 nuk e sigurojnë deklaratat politike, strategjitë e miratuara apo numri i aktiviteteve vetëdijesuese. Ai kërkon dëshmi se shteti i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore’’, deklaron Elezi.
Në përfundim, Elezi ka vlerësuar se trafikimi me qenie njerëzore nuk është vetëm çështje e rendit publik, por kërcënim për sigurinë njerëzore, dinjitetin, sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në shtet.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë këtë dukuri si prioritet të sigurisë kombëtare dhe të drejtësisë penale, përmes veprimeve të koordinuara dhe rezultateve të matshme.
‘’ Trafikimi me qenie njerëzore nuk është vetëm çështje e rendit publik. Ai është kërcënim për sigurinë njerëzore, dinjitetin, sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në shtet.Prandaj, institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë këtë dukuri si prioritet të sigurisë kombëtare dhe të drejtësisë penale, me veprime të koordinuara dhe rezultate të matshme’’, deklaron Elezi.
Ai ka thënë se luftimi i trafikimit duhet të dëshmohet përmes zbulimit dhe ndëshkimit të trafikantëve, goditjes së rrjeteve kriminale dhe mbrojtjes së viktimave, në mënyrë që asnjë person të mos mbetet i vetëm përballë atyre që e shndërrojnë dinjitetin njerëzor në burim fitimi.
‘’ Nuk mjafton që shteti të deklarojë se po lufton trafikimin. Shteti duhet të dëshmojë se po e zbulon, po e ndal dhe po e ndëshkon atë. Dhe mbi të gjitha, duhet të dëshmojë se asnjë viktimë nuk lihet vetëm përballë atyre që ia kanë shndërruar dinjitetin njerëzor në burim fitimi’’, përfundon Elezi.