187 pozita pune në QKUK mbahen me ushtrues detyre

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 16:28 | Nga

Sipas Ligjit të Punës, kontrata për një detyrë specifike nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një viti.

Po ashtu, sipas statutit të QKUK-së, “Drejtorët e Klinikave dhe Shërbimeve Klinike duhet të jenë me orar të plotë të punës në ShSKUK’’, theksohet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin e kaluar, transmeton Indeksonline.

Mirëpo, auditori ka zbuluar se në ShSKUK janë rreth 187 zyrtarë, pozitat e të cilëve mbulohen me ushtrues detyre. Prej tyre ka edhe drejtorë të klinikave e shefa të reparteve.

“Ligji i punës nr. 03/L-212, respektivisht neni 10 pika 6, përcakton se “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti.”. Po ashtu neni 16 paragrafi 4 i Statutit të QKUK-së përcakton që“ Drejtorët e Klinikave dhe Shërbimeve klinike duhet të jenë me orar të plotë të punës në ShSKUK’’. Në ShSKUK janë rreth 187 zyrtarë pozitat e të cilëve mbulohen me ushtrues detyre, nga ta 26 janë drejtorë të klinikave dhe 79 janë shefa të reparteve. Kjo situatë është për shkak të neglizhencës së menaxhmentit për t’i plotësuar këto pozita”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, në ShSKUK janë pesë Drejtorë të Klinikave të cilët kanë pozita udhëheqëse dhe të cilët e kanë deklaruar ShSKUK-në si punëdhënës sekondar.

Këta zyrtarë kanë kontratë të rregullt pune dhe përfitojnë pagë primare nga një organizatë tjetër buxhetore, transmeton Indeksonline.

“Pozitat menaxheriale të mbajtura si punë sekondare rrezikojnë të shkaktojnë rezultate jo të mira në punë pasi për udhëheqjen e pozitave drejtuese kërkohet angazhim i plotë kohor. Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të sigurojnë që në një kohë sa më të arsyeshme/afërt të zhvilloj procedurat konform kërkesave ligjore për plotësimin e pozitave udhëheqëse të cilat mbahen me ushtrues detyre. Po ashtu, duhet të sigurojë që të gjitha pozitat udhëheqëse të ushtrohen me orar të plotë të punës”, thuhet për këtë çështje në raport.

Përveç kësaj, disa mostra të mishit për kuzhinën në QKUK kanë qenë të pa testuara.

Furnizuesi duhet të dorëzojë një certifikatë të origjinës së furnizimeve, më së voni atëherë kur e kërkon pranimin e furnizimeve.

Mirëpo, nga testimi i gjashtë mostrave për furnizim me mish për nevoja të kuzhinës në QKUK, auditori ka vërejtur se për sasinë e furnizuar në total prej 15,935kg, operatori ekonomik kishte ofruar dëshmi të origjinës së furnizimeve vetëm për 7,407kg mish, ndërsa për pjesën e mbetur të furnizimit në sasi prej 8,527kg me vlerë financiare prej 48,181€ nuk kishte ofruar çertifikata të origjinës së mishit.

Sasia e furnizuar pa certifikata të origjinës së furnizimeve rrit rrezikun se produkti i ofruar nuk është i kualitetit të kërkuar.

Po ashtu, QKUK me 12.12.2017 kishte bërë pagesën prej 23,682€ për servisim të pajisjeve mjekësore, përderisa pajisja nuk ishte servisuar nga operatori deri 15.02.2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme