2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë ndaj zyrtarit të MKRS-së i akuzuar për marrjen e rreth 6 mijë eurove ryshfet

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Leotrim Gashi, asistent ekzekutiv në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), është dënuar me dy vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti në vlerë prej 5 mijë e 850 euro.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gashi u shpall të martën nga gjykatësi Agim Kuçi, raporton “Betimi prë Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit Gashi do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 11 janari 2022.

Gjithashtu, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënim plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy viteve pas vuajtjes së dënimit me burg.

I akuzuari Gashi është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Gjykatësi Kuçi ka njoftuar se të akuzuarit me aktvendim të veçantë do t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Ndryshe, i akuzuari Gashi e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 prill 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 mars 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Leotrim Gashi akuzohej se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, nga 421 par.1 të KPRKS-së.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi në cilësinë e asistentit ekzekutiv në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht në Departamentin e Rinisë, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, në vazhdimësi nga 12 dhjetor 2021 e deri më 11 janar 2022, ka kërkuar ryshfet nga dëshmitarja – e dëmtuara G.T.

Siç thuhet në aktakuzë, më 11 janar 2022, në Sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë, respektivisht ditën kur është kapur në flagrancë dhe është arrestuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet në shumën prej 5 mijë e 850 euro nga e dëmtuara G.T.

Prokuroria pretendon se pasi që e dëmtuara kishte aplikuar dhe ishte përfituese e grantit në vlerë prej 12 mijë e 500 euro, sipas thirrjes nga MKRS për subvencionim me mjete financiare për biznese që do të krijoheshin “start –up me spin-off” dhe biznese fillestare “start up”, si dhe shoqja e saj E.A ishte përfituese e grantit prej 7 mijë e 44 euro, i akuzuari në mënyrë të vazhdueshme, nga e dëmtuara dhe shoqja e saj nga grantet, përkatësisht kishte kërkuar shumën prej 5 mijë e 850 euro, ku të njëjtën shumë e kishte marrë nga e dëmtuara në formë të ryshfetit në kohën dhe vendin e lartcekur.

Të ngjashme