22 zyrtarë të lartë pritet të arrestohen për korrupsion

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 21:38 | Nga

22 zyrtarë të lartë shtetërorë pritet të arrestohen shumë shpejt për korrupsion dhe vepra të ndryshme penale, e në mesin e këtyre të arrestuarve do të ketë edhe ish-ministra, zëvendësministra, zyrtarë të lartë të kompanive publike e të tjerë.

Kështu ka paralajmëruar drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, në emisionin “Euro Tribuna” në Tribuna Channel.

Sipas tij, 22 aktakuza të ngritura ndaj 22 zyrtarëve të lartë të shtetit shumë shpejtë do të jenë publike. Havolli, ka thënë se ka elemente të mjaftueshme dhe dyshime të bazuara që këta 22 zyrtarë kanë kryer vepra të rënda penale.

“Nuk ka të fortë më, ka përfunduar koha e të fortit para ligjit”, ka thënë ai.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion po ashtu ka deklruar se si agjenci kanë lëshuar mbi 100 opinione për shkelje të mundshme të të ligjit të prokurimit, ku 90 përqind e tyre janë zbatuar nga autoritetet kontraktuese.

E, sa i përket ndryshimit të ligjit të konfliktit të interesit i cili sipas Havollit, pritet që këtë vit të kalojë në Kuvendin e Kosovës, i pari i AKK-së, ka pohuar se pret që ky ligj të zbatohet normalisht dhe të prek edhe nivelet më të larta shtetërore duke përfshirë edhe kryeministrin dhe ministra.

Havolli, ka folur edhe për dhënien e tenderëve për operatorët e ndryshëm ekonomikë, për të cilin ka thënë se kjo po e vendos Kosovën si vendin më të korruptuar në rajon.

Ai nuk ka mohuar faktin që në këtë proces ka disa lëvizje pozitive, por se as nuk ka pohuar se gjatë monitorimit të këtij procesi si Agjenci Kundër Korrupsion kanë hasur në shkelje të ligjit të prokurimit publik.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prapë siç ka qenë më herët sa i përket korrupsionit, megjithatë po them prej vlerësimit tim tre mujor dhe bazuar në informacionet që i marr nga ky divizion ka një zhvillim pozitiv”, ka theksuar Havolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme