Dogana vazhdon përpjekjet për krijimin e lehtësirave tregtare

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 15:46 | Nga

Drejtori i përgjithshëm i Doganës, Lulzim Rafuna, së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, janë duke qëndruar në Paris të Francës në përpjekje për të anëtarësuar Kosovën në Organizatën Ndërkombëtare të Odave Ekonomike (ICC).

Ata janë takuar me udhëheqësit e organizatës ndërkombëtare të odave ekonomike ku edhe kanë diskutuar modalitetet dhe avancimet që Kosova ka bërë në lehtësimin e biznesit dhe transportit ndërkombëtar.

Siç njofton Dogana, aty u theksua se anëtarësimi i Kosovës është i një rëndësie thelbësore për krijimin e lehtësirave dhe thjeshtëzimit të procedurave doganore në të bërit biznes. Dogana është duke bërë përpjekje për lehtësim të mëtejme të procedurave ashtu që përmes këtij anëtarësimi Kosova të anëtarësohet edhe në ATA Karnet dhe TIR Karnet, gjë e cila do të reduktonte shpenzimet e transportit ndërkombëtar si në import po ashtu edhe në eksport.

Me këtë rast drejtori i përgjithshëm i Doganës, Rafuna, theksoi se takimi i shërben përpjekjeve për anëtarësimin në Konventën ATA e cila potencialisht sjell përfitim, pasi lejon importin e përkohshëm të mallrave në territorin e Kosovës pa detyrime dhe taksa të importit për deri në 1 vit.

“Përveç çështjes së pagesës, përmes përdorimit të ATA karnet, shumë mallra mund të barten përmes shumë kufijve në mënyra të thjeshta dhe të shpejta. Prandaj edhe Dogana e Kosovës është duke punuar shumë ashtu që të krijoi edhe më tej lëhtësira për bizneset legjitime”, ka thënë Rafuna.

rafuna - gerxhaliu

 

 

Të ngjashme