Më 27 korrik të këtij viti, të gjithë të pasionuarit pas ngjarjeve qiellore do të kenë mundësi të shohin eklipsin më të madh të Hënës të shekullit të XXI, transmeton “Gazeta Shqiptare”. Ai do të jetë i dukshëm nga pjesa më e madhe e njerëzve që jetojnë në hemisferën lindore dhe do të zgjasë 103 minuta.
Kjo ngjarje e rrallë qiellore është rezultat i disa ngjarjeve astronomike, që do ta zgjasin fenomenin. Gjatë eklipsit, Hëna do të kalojë përmes hijes më të errët të Tokës, e njohur si Umbra, duke shkaktuar një shkëlqim të kuq, e cila i jep emrin “Hëna e përgjakur”.
Nuk ka nevojë për të pasur një pajisje specifike për të parë eklipsin më mbresëlënës të shekullit. Na duhet vetëm të shpresojmë që qielli të jetë i kthjellët. Eklipsi total fillon në orën 19.30 dhe do të përfundojë në 21.13. Kulmi i eklipsit do të jetë në orën 20:22.