30 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen në korrik të vitit të kaluar në Viti

Gjilan | 31 Tet 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan e ka shpallur fajtor dhe e dënoi me 30 vite burgim të akuzuarin Besnik Rexhepit, për akuzën se vrau Arbnor Ramën në korrik të vitit të kaluar në Viti.

Aktgjykimin ndaj të akuzuarit Rexhepi e shpalli të hënën, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sabedin Mushica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Mushica, gjykata deri te ky vendim ka ardhur pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës, më 13 korrik 2021 në Viti, rruga “Kemajl Azizi”, i akuzuari Besnik Rexhepi me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arbnor Rama, dhe ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Burhan Bilalli, në atë mënyrë që pas një konflikti fizik, në mes të tani të pandehurit dhe dy të dëmtuarve, përballë Restorant- Picerisë “D&D”, në Viti, të njëjtit takohen përsëri mbi urën e lumit Morava përballë shkollës “Hoxhë Junuzi” në Viti, me ç’rast ndalen të dëmtuarit, e më pas nga vetura e llojit “Opel”, del i dëmtuari Arbnor, me shkop dorë në dorë dhe niset në drejtim të veturës “BMW X5″, e ndalur pas veturës së tij, në atë moment nga kjo veturë, del i pandehuri me revole në dorë.

Në aktakuzë thuhet se me të vërejtur të pandehurin me revole, i dëmtuari Arbnor ikë dhe hyn në veturën e tij, e që i pandehuri afrohet tek vetura, tek xhami i vozitësit, ku ishte i ulur tani i ndjeri Arbnor dhe shtie në drejtim të tij duke e goditur me katër plumba në pjesën anësore të epërme të krahut të majtë, e më pas del nga ana e pasagjerit dhe shtie me revole pesë herë në të dëmtuarin Burhan, duke e goditur në abdomen, në shpatullën e djathtë, kofshën e majtë dhe të djathtë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, derisa ishte duke u larguar, i pandehuri e godet edhe me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, pasi që i dëmtuari Arbnor goditet me armë nga i pandehuri, në atë gjendje e nis veturën, i cili për pasojë e godet veturën e llojit “BMW”.

Me ç’rast, thuhet se lëndime trupore pësojnë Besmir Islami dhe Hysmete Islami, e nga inercioni automjeti i llojit “BMW”, e godet automjetin e llojit “Golf IV”, të të dëmtuarit Muhamet Avdiu, të cilit i shkakton dëme materiale, në këtë mënyrë nga verimet e të akuzuarit i ndjeri Arbnor ndërron jetë duke u transportuar rrugës për në Spitalin Regjional të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit Burhan i shkakton lëndime natyrës së rëndë trupore.

Me çka, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, e dënueshme me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Sipas dispozitivit të dytë, thuhet se që nga data e pavërtetuar e deri më 13 korrik 2021, në ora 11:50 minuta, i akuzuari në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole të prodhimit “Tisas Zig14”, cal. 9mm, e cila ishte gjetur tek ai, e që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij në Viti janë gjetur edhe një pushkë gjuetie, e prodhimit “Bayir”, model Side By Side dhe 14 fishekë 12×76 mm, të cilat armë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Me çka, akuzohej se ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1, të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Të ngjashme