Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur një tryezë shkencore me rastin e 35-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, ku figurat e kohës e përshkruan këtë akt si gurthemel të shtetit të Kosovës dhe një akt të pastër të vetëvendosjes, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Kuvendit të asaj kohe, Iliaz Ramajli, tha se miratimi i saj ishte një akt solemn vetëvendosjeje dhe themel mbi të cilin u ndërtuan institucionet e shqiptarëve të Kosovës.
“Miratimi i kushtetutës së Kaçanikut e cila vjen si detyrim i dalë nga deklarata kushtetuese e 2 korrikut 1990 ishte një akt i pastër vetëvendosje një afirmim solemn i të drejtës për të qenë zot në shtëpinë tonë. Kushtetuta e Kaçanikut nuk u hartua në zyrat e qeta të një administrate demokratike, ajo u hartua dhe miratua me rrethana okupimi, me armikun mbi kokë, me sytë e botës ende të mbyllur dhe me një shtypje të pa precedent ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ai nuk ishte thjeshtë një dokument juridik, ai ishte një akt i guximshëm politik, një deklarim i qartë për liri, barazi dhe vetëvendosje. Ishte themel mbi të cilën u ndërtuan institucionet e shqiptarëve të Kosovës nën okupimin serb dhe më vonë edhe lufta e armatosur për çlirim,” tha ai.
Lexuesi i deklaratës së 2 korrikut, Muharrem Shabani, tha se ky moment duhet të zërë vend në librat shkollorë si pjesë e historisë së popullit.
“Ky ishte një moment i shprehur i popullit që në njërën anë veprohej në kuptimin kombëtar e në tjetrën anë ishin pjesëtarë të shërbimit sekret serb. Por aty nuk zbuluan duke ju falënderuar qytetarëve të Kaçanikut. Delegatët nuk sakrifikuan për vetëm veten, për nxjerrjen e këtij akti por e bënë për interes të popullit të qytetarëve. Por si duket në memorien tonë kombëtare dikur filloi të jetë në libra shkollorë që të dinë qytetarët ecurinë e këtij populli për liri e pavarësi si një nga dokumentet me rëndësi historike. Nëse fillojmë në këtë mënyrë që historia të fillojë prej nesh atëherë e degradojmë, edhe kjo sipas gjasave nuk gjendet në librat shkollorë, konsideroj që duhet ministria përkatëse jo për hir të delegatëve, por për hir të historisë dhe rrugëtimit tonë të historisë,” tha ai.
Akademiku Arsim Bajrami tha se Kushtetuta e Kaçanikut ishte gurthemel i shtetit të Kosovës.
Bajrami tha se Kosova ka qenë me fat që ka pasur ligjvënës të vendosur në vitet ’89 që i vunë interesat e popullit mbi gjithçka.
“Është një proces historik i cili është shoqëruar me një sakrificë gjithëkombëtare me një rezistencë të popullit të Kosovës me një rezistencë paqësore dhe një luftë çlirimtare. Kosova ka qenë me fat që ka pasur një ligjtarë të vendosur në vitet e 89 të cilat për herë të parë u vunë në shërbim të kombit dhe për herë të parë përfaqësuan në mënyrë të dinjitetshme popullin. Ishte kjo legjislaturë e deklaratës kushtetuese së 2 korrikut. Atë që ishte mohuar për një shekull vetëvendosjen e popullit shqiptar, pra një proces që rezultoi me shkrimin e deklaratës dhe miratimin e deklaratës së 2 korrikut, që unë e quaja si gurthemel të shtetit të Kosovës që pastaj u funksionalizua me miratimin e Kushtetutës së Kosovës të datës 7 shtator. Këto dy akte kanë qenë një momentum historik që homogjenizuan popullin e Kosovës nën kauzën që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur. Të gjitha proceset që kanë ndodhur pastaj deri në shpalljen e pavarësisë kanë një lidhshmëri. Miratimi i kushtetutës së Kaçanikut me 7 shtator ka qenë një moment historik, sepse miratimi i kësaj kushtetute ka qenë një kontekst i dhunës, përndjekjes, barbarisë, i përgatitjes së një okupimi që rezultoi me një gjenocid. Kjo kushtetutë ka qenë një kushtetutë moderne, pasi ka dizajnuar një republikë parlamentare, një shtet bazuar në parimet e ndarjes së pushtetit, në respektim e të drejtave të njeriut do të thotë një shtet kombëtar. Për dallim nga kushtetuta aktuale ku unë kam qenë një nga hartuesit, kjo kushtetutë ka përfaqësuar vullnetin autentik të popullit të Kosovës,” tha Bajrami.
Një nga hartuesit e Kushtetutës së Kaçanikut, Ismet Salihu, tha se puna për hartimin e saj ishte e organizuar në kushte të rënda ilegale.
“Model bazë për hartimin e kushtetutës janë marrë për bazë disa shtet të Evropës. Gjatë dy muaj e gjysmë anëtarë e komisionit punuan vetëm gjatë natës dhe në ilegalitet, në konspiracion të plotë. Shpallja e deklaratës së 2 korrikut si dhe aprovimi i kushtetutës së Kosovës me 7 shtator, në aspektin juridik dhe aspektin e legjitimitetit sipas çdo sistemi juridik dhe normave ndërkombëtare konsiderohen legale dhe legjitime se janë aprovuar në pajtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi nga delegatët, deputet e Kuvendit të Kosovës. Duke u mbështetur në legalitetin dhe legjitimitetin e këtyre dy akteve bazike politike dhe juridike në të cilin u manifestua vullneti politik i shumicës së popullit shqiptar të Kosovës edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kushtetutën e Kosovës i ka konsideruar si legale dhe legjitime,” tha ai.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se kjo datë ishte një hallkë e rëndësishme e historisë së popullit shqiptar.
“Kjo datë ishte një datë shumë e rëndësishme e asaj kohe të historisë së popullit shqiptar. Pikërisht kjo datë e përbë një hallkë të rëndësishme që paraqet jo vetëm miratimin e kushtetutës si një akt juridik në rrethana të turbullta të shpërbërjes së Jugosllavisë, por mbi të gjitha paraqet guximin dhe sakrificën e atyre burrave dhe grave të atij Kuvendi që shpallën kushtetutën e Kaçanikut. Dhe kjo datë më së miri pasqyrohet përmes tryezave shkencore,” tha ai.

