Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka prezantuar Raportin e Performancës Komunale, me ç’rast tha se ky raport krahasuar me vitet paraprake është dukshëm më i mirë. Nga këto raporte, pastaj komunat do ta përfitojnë grantin për përformancë, raporton Ekonomia Online.
Raporti mblodhi të dhëna për 102 tregues në 19 fusha të kompetencave komunale me një gamë të gjerë të çështjeve te cilat ofrojnë informata të shumta për gjendjen ekzistuese të qeverisjes dhe shërbimeve të komunave.
Ai tha se është i përkushtuar që të fuqizohet performanca komunale dhe se pjesëmarrëse kanë qenë 38 komuna, përpos Mitrovicës së veriut.
Ministri Krasniqi deklaroi se që nga marrja e mandatit qeverisës janë përkushtuar të forcojmë sistemin e raportimit të performancës e po ashtu vëmendje të shtuar verifikimit dhe dokumentimit të dhënave.
Ai theksoi se për herë të parë të dhënat e raportimit nga Komunat verifikohen në terren.
“Për herë të parë të dhënat e raportimit të performancës nga Komunat verifikohen në terren dhe po ashtu një gjë e rëndësishme e cila në këtë moment ngrit cilësinë e raportimit nga ajo dëshirore në obligative është ligji i bazuar në performancë dhe në grante të performancës. Me këtë ligj raportimi i performancës do të bëhet obligative për secilën Komunë, gjithashtu granti i performancës do të jetë burim i rregullt i përfaqësimit të komunave, bazuar në performancë të hapur në bashkëfinancim me donatorët”.
“Matja është një proces me rëndësi të veçantë. Raporti mblidhet në 19 fusha në kompetenca komunale dhe shprehet përmes programit qeverisës. Jemi përkushtuar ta fuqizojmë përformancën nga komunat dhe kësisoj komunat do ta përfitojnë grantin për performancë. Raportimi i performancës do të bëhet obligativ për komunat”, tha ministri Krasniqi.
E udhëheqësi i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale, Diellor Gashi, tha se në këto raporte vërehet se është rritur transparenca komunale dhe është shtuar numri i vizitave të qytetarëve nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.
“Në këtë periudhë raportuese kanë raportuar 38 komuna me përjashtim të komunës së Mitrovicës veriore, ku të dhënat nuk janë autorizuar nga kryetari i Komunës dhe si pasojë nuk janë marrë për bazë. Sa i përket rezultateve apo të arriturave, mesatarja e përgjithshme në ushtrimin e kompetencave vërehet në shkallën prej 57.06 %, është përqindje më e ulët se në vitin 2019. Komunat me shumicë serbe reflektojnë me përqindje të ulët të performancës për shkak të keqraportimit”, tha ai.
“Në këtë fushë komunat kanë arritur 77.2% në total dhe 4.7% më shumë se vitin paraprak. Arsimi parauniversitar 67.81%. Infrastruktura rrugore në vlerë 52.30%, 86% e rrugëve janë të shtruara dhe 58% janë mirëmbajtur. Ajo çka duhet komunat të fokusohen është që duhet të punojnë në drejtim të transportit alternativ në ndërtimin e shtigjeve. Edhe uji i pijshëm shënon rritje në krahasim me 2019. Të dhënat tregojnë se 75% janë të kyçur në ujësjellës”.
Gashi shtoi se janë disa gjëra në të cilat komunat duhet të punojnë më shumë, si fusha e zhvillimit ekonomik lokal.
Sipas tij, në përfaqësimin gjinor komunat qëndrojnë më keq se vitin paraprak.
“Megjithëse në kuadër të të punësuarve në institucione komunale kriteri 50% për gra dhe 50% burra sipas të dhënave të komunave është plotësuar, komunat duhet të rrisin intensitetin e punës së tyre në hartimin e planeve vjetore për barazi gjinore si dhe të punojnë në drejtim që gratë të jenë të përfaqësuara më shumë në pozita politike dhe vendimmarrëse”.