400 euro gjobë pasi e pranoi se mbajti armën pa leje dhe plagosi veten

Prishtinë | 28 Kor 2021 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

B.E e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 400 euro gjobë për armëmbajtje pa leje me të cilën e kishte plagosur veten.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në shqyrtimin fillestar ku i akuzuari ka pranuar edhe fajësinë pasi i është lexuar aktakuza nga prokurori Valdet Avdiu.

“E pranoj plotësisht këtë vepër penale”, ka thënë i akuzuari B.E.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, i akuzuari B.E është dënuar me 400 euro gjobë për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, raporton “Betimi për Drejtësi”

I njëjti është ngarkuar dhe me shpenzimet e procedurës dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësorë dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës i pandehuri më 11 qershor 2021 rreth orës 22:00, në shtëpinë e tij në fshatin Sojevë të Ferizajt, në kundërshtim me ligjin kishte mbajtur në pronësi armën e markës “Zoraki M 906-T” me të cilën gjatë manovrimit ishte vetëplagosur.

Me këtë ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Të ngjashme