618 persona nga komuniteti RAE pa dokumente personale

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 17:01 | Nga

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka publikuar raportin e grupit punues për identifikimin e pjesëtarëve të paregjistruar në Kosovë, me fokus komunitetin, Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Raporti u publikua me të gjeturat e një studimi për numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që nuk kanë dokumente personale.

Të gjeturat e këtij studimi janë: nga gjithsej intervistimi i 24 532 pjesëtareve në 5 383 familje të këtij komuniteti, vetëm 618 janë të paregjistruar në Kosovë.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Lulzim Ejupi, theksoi se ky ka qenë një projekt i një rëndësie të veçantë për regjistrimin e këtyre qytetarëve, sepse është e drejtë që secili qytetar duhet të jetë i regjistruar.  Ai tha se është bërë një punë e mirë, shpresojmë se edhe në të ardhmen do të funksionojë kështu.

“Agjencia e Regjistrimit Civil ka krijuar lehtësira për regjistrimin e këtyre personave, si  lirimi nga taksat dhe ka pasur një koordinim për të gjithë aktivitetin  në nivelin e duhur.  Ky aktivitet do të vazhdoj edhe me personat që kanë mbetur pa regjistruar, me një koordinim edhe me parterët në këtë projekt”, theksoi Ejupi.

Ndërsa shefi i Misionit të UNHCR në Kosovë , Narasimha Rao, vuri në dukje se janë bërë përpjekje për të ndihmuar në krijimin dhe lehtësimin e regjistrimit të qytetarëve të pa regjistruar dhe jemi bërë bashkë në këtë program shumë të rëndësishëm.

Ai tha se regjistrimi është bërë për qytetarët që janë brenda Kosovës dhe atyre që janë jashtë Kosovës, si në Mal të Zi dhe Maqedoni.

“Për këtë arsye kemi zhvilluar programin e punës në terren dhe raportin që e kemi sot është edhe rezultat i programit. Nuk është shumë i madh problemi siç e kemi pritur, sepse prej rreth 24 mijë të intervistuarve, vetëm 2.5% e tyre nuk kanë qenë të regjistruar dhe ky është një rezultat i rëndësishëm. Janë dy elemente të rëndësishme që kanë dalë nga ky raport, rreth 65%e të pa regjistruarve janë fëmijë, që është e qartë që ka të bëjë me regjistrimin në lindje dhe 58%, janë vajza dhe gra që tregon cënueshërinë e kësaj kategorie”, theksoi Rao.

Ky raport është ndihmuar nga Zyra e UNHCR-së në Kosovë dhe është produkt i angazhimit që ka marrë Qeveria e  Kosovës, në rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, OSBE, UNHCR dhe Komisioni Evropian, në Konferencën Rajonale në Zagreb në vitin 2011, për të identifikuar numrin e pjesëtarëve të paregjistruar, Romë Ashkali dhe Egjiptian dhe nevojën e tyre për dokumentacion të gjendjes civile.

mpb

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme