Po çuditem se si disa persona vite më parë, kur Shtëpia e Xhafer Devës u përfshi nga zjarri, patën reaguar duke goditur deri në palcë se po humb trashëgimia kulturore e një objekti me arkitekturë moderne europiane, e ndërtuar më 1930. Dhjetëra tituj gazetash, kronika televizive e raportime në radio denonconin humbjen e trashëgimisë, atëbotë.
Realisht, përnjëmend një vlerë arkitekturore për t’u ruajtur.
Dhe papritmas, pas një reagimi të ambasadorit gjerman Rhode ku thoshte se ky restaurim s’duhet të bëhet se Deva paska qenë bashkëpunëtor i nazistëve, veç kur ndërruan mendim.
Pse jo, kur gjithçka po harrohet shpejt në vendin tonë, edhe reagimet mund të vijnë tallasa-tallasa mbas të fortëve.
Por, kur ndalesh e mendon, këtë logjikë, shtëpia duhej të lihej që të rrënohej nga zjarri që e digjte. Veç kam dronë se do të ishte fakti kryesor për argumentim të mos-ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Me këtë logjikë, sot duhet të heqim dorë nga restaurimi dhe ta lëmë në mëshirën e fatit dhe të rrënohet e ta zë vendin e saj një parking apo një ndërtesë afarist-banesore.
Me këtë logjikë, ish-Hotel “Unioni” mirë që qenka djegur atëbotë se aty është zhvilluar rekrutimi i shqiptarëve në Batalionin “Skënderbeu” të nazistëve.
Me këtë logjikë nuk do të duhej të reagonit për objektin e ish-Gjykatës së Vushtrrisë kur deshën ta rrënonin, sepse aty janë dënuar edhe me vdekje shqiptarët nga serbët.
Andaj, figura e Xhafer Devës, me dy anët e medaljes ku mund të gjesh dromca shkëlqimi e hijesh, nuk duhet të na ndalojë shtetin që ta restaurojë një ndërtesë aq të bukur. Ajo nuk është rrënuar as nga komunistët pasi e morën pushtetin.
Fundja, ajo ndërtesë edhe herave tjera ka qenë pjesë e disa punimeve, por askush s’pati reaguar. A e dini pse? Se, sipas meje, atëherë ambasadori gjerman s’ka qenë kaq i zëshëm. Pra, e kemi një fije merak lëpirjen mas të fortëve.