D4D: Vetëvendosje më së shumti shkelje në rrjetet sociale gjatë fushatës, pati shprehje të urrejtjes ndaj grave

| 15 Shk 2022 | 11:19 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje është partia me më së shumti shkelje në rrjetet sociale gjatë zgjedhjeve komunale të vitit të kaluar, sipas një monitorimi të kryer nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Nga rreth 6 mijë artikuj të analizuar nga monitoruesit e D4D janë konstatuar 198 shkelje, më shumti në rrjetin social Facebook. 32 % e shkeljeve i takojnë VV-së, AAK ka bërë 27 % të shkeljeve të konstatuara. LDK – 17 %, PDK-ja – 16 % dhe partitë e tjera gjithsej 8 %, raporton Ekonomia Online.

“Monitorimi i deklaratës së mirësjelljes në media sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2021” është realizuar nga D4D, me përkrahjen e Qendrës për Dialog Humanitar, dhe në bashkëpunim me partitë politike, mediet, si dhe shoqërinë civile.

Drejtoresha Ekzekutive e D4D, Rezarta Krasniqi, ka treguar se përqindja më e lartë e shkeljeve janë shprehja e urrejtjes ndaj grave kandidate.

Krasniqi theksoi se për shkak të Covid-19, një pjesë e madhe  e fushatës është realizuar përmes rrjeteve sociale, ku niveli i përdorimit të diskursit toksik ka shënuar ngritje.

Përqindja më e lartë, sipas saj, ishte shprehja e urrejtjes ndaj grave kandidate. Pastaj janë hasur tituj të ekzagjeruar dhe shtrembërim të deklaratave.

“Gjuha e urrejtjes, gjuha shpifëse dhe poshtëruese ishte dukuri e përdorur ndaj grave kandidate dhe subjekteve të tyre, me gjithsej 40.43 për qind”, bëri të ditur Krasniqi.

“Janë vërejtur një numër mjaft i madh i artikujve dhe postimeve të cilat kanë pasur informacion të çrregullt, duke përfshirë kështu artikuj dhe postime të cilat kanë promovuar ndasitë politike, ofendimet, gjuhë të ashpër dhe seksiste, gjuhë të urrejtjes, të nxjerra nga konteksti, përmbajtje të pavërtetë, të manipuluar, të fabrikuar dhe tituj të ekzagjeruar”, tha ajo.

Mark Baskin, nga Qendra për Dialog Humanitar, e cilësoi projektin e D4D si shumë të rëndësishëm për Kosovën.

“Vitet e fundit kemi qenë të interesuar të punojmë edhe në Kosovë. Është projekt shumë i vlefshëm sepse është i rëndësishëm edhe për Kosovën. Ky pilotim është hap i  rëndësishëm jo vetëm këtu por edhe në suaza globale”, tha ai.

Allen Meta, nga D4D, i cili prezantoi gjet e raportit, tregoi se kanë monitoruar dy raundet e zgjedhjeve në 38 komunat e Kosovës. Ai tha se shkeljet më së shumti janë bërë në rrjetin social Facebook, ku edhe në këto shkelje prin Vetëvendosje.  

“Ky pilot projekt në bazë të dhënave ka treguar një sukses i cili është prej të parëve në këtë fushë. D4D do të vazhdojmë me tentu që ta ulë diskursin toksik që ka filluar të rritet. KQZ mund të jenë kontributdhënës për këtë diskurs. Bashkërisht kemi vendosur që është në të mirën e qytetarëve të fillohet një projekt i tillë dhe kemi vendosur që të përpilojmë një kod të mirësjelljes”.

“Të gjitha 38 komunat e Republikës së Kosovës janë monitoruar. I kemi saktësisht 198 shkelje në rrjete sociale. Në rrjetin social Facebook janë bërë 76 për qind të shkeljeve”.

Ai tregoi se partia politike më e shënjestruar gjatë këtyre zgjedhjeve kanë qenë LVV me 67 për qind, e cila gjitha prin me shkelje.

“Partitë politike me më së shumti shkelje janë LVV me 32 për qind, AAK me 27 për qind, LDK me 17 për qind, PDK 16 për qind dhe partitë e tjera me 8 për qind”.

Sipas raportit të D4D, në media janë vërejtur më shumë titujt e ekzagjeruar, shtrembërimi i deklaratave dhe përmbajtjes së lajmeve vetëm me qëllim të rritjes së lexueshmërisë. D4D thekson se ky nuk duhet të jenë synim i portaleve të cilat postojnë lajmet për herë të parë, por edhe rasteve kur i ri-postojnë artikujt nga portalet e tjera.

Të ngjashme