Është përuruar pllaka përkujtimore në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, ku gjatë viteve 1991-1998 është zhvilluar procesi mësimor për nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Prenkë Jakova” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Pllakën, së bashku me familjarët, e zbuluan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.
Me këtë rast u theksua se kjo familje ka kontribuuar që ta mbajë gjallë arsimin në gjuhën shqipe.
Kryeministri Albin Kurti i ndau mirënjohje familjes Gashi, për të cilën tha se gjeneratat e reja i gëzojnë sot frytet e kontributit të kësaj familjeje. Tha se është moment i veçantë për të gjithë ata që e kanë njohur Ibrahim Gashin.
“Në ditën e mësuesit për 7 Mars, për një profesion të shenjtë për neve shqiptarët por edhe për popujt tjerë në përgjithësi. Për çfarë, Ibrahim Gashi me jetën dhe veprën e tij ka dhënë si rrallë kush, për mos me thënë si pak kush tjetër, andaj ne jemi përjetë mirënjohjes e falënderues. E di që ka ndërruar jetë një vit para shpalljes së Pavarësisë, por tërë jetën e ka pasur për liri, pavarësi e bashkim”, tha Kurti.
“Prandaj ky moment është shumë i veçantë jo veç për familjen e juaj po për të gjithë neve që e kemi njohur. Ndërkohë që të gjithë edhe ata që nuk e kanë njohur i gëzojnë sot frytet e kontributit të tij. Prindërit i patën bërë shtëpitë shkolla e fëmijët në shkolla ndjehen si në shtëpi sidomos te ne që kemi qenë shumë gjatë në okupim”, u shpreh Kurti.
E ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, shprehu mirënjohje për familjen Gashi, duke thënë se me gjenerata kanë kontribuuar për ta mbajtur gjallë arsimin shqip.
“Një nga mijëra familje që i kanë lëshu shtëpitë e tyre për me u solidarizua dhe ne jemi sot këtu për të shpreh mirënjohjen dhe respektin për secilin që me gjenerata kanë kontribuar për me mbajt gjallë arsimin shqip. Nuk e kemi pasur lehtë me vendos për shtëpi sepse janë me mijëra familje. Por jo rastësisht kemi ardh këtu duke e pasur parasysh edhe gjithë kontributin e vazhdueshëm, me vite të zotit Ibrahim Gashi. Prejkëtu shpreh mirënjohjen për të gjitha familjet, për të gjithë qytetarët që kanë prish rehatinë sikurse veç e thatë, dhomat e ditës dhomat e gjumit i kanë kthy në klasa për me mbajt gjallë arsimin shqip”, tha ministrja Nagavci.


